Kampioni i Anglisë, Liverpooli duket se ka gjetur pasardhësin e mesfushorit holandez Georginio Wijnaldum, i cili do të largohet nga ekipi në fund të këtij edicioni kur edhe i skadon kontrata. Mesfushori i Borussia Moenchengladbachut, Florian Neuhaus do ta zëvendësojë Wijnaldumin edicionin tjetër të Liverpooli, ka raportuar të premten revista gjermane “Kicker”.
Bëhet e ditur se Liverpooli tashmë ka vendosur ta paguajë klauzolën e lirimit të Neuhausit prej 40 milionë eurove për ta transferuar atë në fund të këtij sezoni. Neuhaus 24-vjeçar ka kontratë me ekipin gjerman deri në vitin 2024 kurse këtë edicion ka gjashtë gola dhe po aq asistime në 28 paraqitje në të gjithat garat.