Kina e Marcello Lippit së shpejti do të motivohet dhe mburret me repartin e sulmit, i cili do të përbëhet nga brazilianët, pasi shteti ambicioz i futbollit po kërkon me çdo kusht kualifikimin për herë të dytë në Kampionatin Botëror.
Seleksionuesi Lippi javën e shkuar i mundësoi debutimin mesfushorit anglez, Nico Yennaris, i cili u fut në historinë e Kinës si lojtari i parë i natyralizuar, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.
Por Kina që udhëhiqet nga presidenti i çmendur pas futbollit, Zi Jinping, ka synime të mëdha për të ardhmen, përfshirë këtu edhe organizimin e botërorit. Kështu që plani për joshjen e lojtarëve nga shtetet e tjera për të qenë pjesë e Përfaqësueses së Kinës ka nisur të implementohet.
Sulmuesi i ekipit kinez, Shanghai SIPG, braziliani Elkeson, pritet të pajiset me shtetësinë kineze, në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjet eliminatore për botërorin "Katari 2022", që Kina i luan në vjeshtë.
Elkesonit më vonë pritet t'i bashkohen edhe brazilianët e tjerë, Ricardo Goulart (Guangzhou Evergrande) dhe Fernando (Chongqing Lifan), që gjithashtu bëjnë karrierë në Kinë.
Lippi, i cili ka fituar titullin e botës me Italinë në vitin 2006, është kthyer në krye të Përfaqësueses së Kinës muajin e shkuar vetëm katër muaj pas largimit. Ai në këtë post ka zëvendësuar Fabio Cannavaron....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)