Pro League e Belgjikës në futboll, që do të takohet të enjten për herë të parë që kur bordi mori vendimin për të mos vazhduar pjesën e mbetur të stinorit, pritet të heq dorë nga ratifikimi formal i këtij vendimi, duke lënë derën hapur për një vazhdim të mundshëm, shkruan agjencia Reuters.
Takimi i 24 klubeve anëtare është shtyrë tashmë dy herë, duke rritur spekulimet në media se vendimi i marrë nga bordi në fillim të muajit për të anuluar kampionatin mund të përmbyset.
Krerët e klubeve do të takohen nëpërmjet një video-konference të hënën, por mediumet belge kanë raportuar në fundjavë se vendimi për të ratifikuar përfundimin e parakohshëm të kampionatit do të pezullohet.
Belgjika, që është goditur rëndë nga pandemia COVID-19, ishte vendi i parë në Evropë ku u mor vendim për të mos u vazhduar pjesa e mbetur e kampionatit të futbollit elitar.
Shtatëmbëdhjetë klube të goditura financiarisht bënë thirrje në një letër të hapur drejtuar ligës, që stinori të mbyllet.
Bordi kishte propozuar që Club Brugge të shpallet kampion, ndërsa vendimet tjera rreth ngjitjes në elitë dhe rënies nga elita, si dhe vendet për garat në Evropë stinorin e ardhshëm, i ishin referuar një grupi punues prej pesë anëtarëve.
Qeveria e Belgjikës ende nuk ka dhënë një qartësi nëse ngjarjet sportive mund të rinisin, pasi në këtë vend janë duke u aplikuar masa të rrepta kufizuese.
Kryeministrja e Belgjikës, Sophie Wilmes në një konferencë për media të premten, pas shtatë orë takim, tha se Belgjika mund të vendos të zbusë masat kufizuese varësisht nga situata shëndetësore. Ajo foli se javën e ardhshme do të nisë zbutja e disa prej masave kufizuese, por tha se situata rreth ngjarjeve sportive do të qartësohet së shpejti.
Edhe
Van Bommel zyrtarizohet selektor i Belgjikës
Presidenti i Federatës së Futbollit të Belgjikës, Mehdi Bayat ka thënë se shpreson për më tepër qartësi deri javën e ardhshme.
“Por, ne e kuptojmë se futbolli profesionist nuk është prioritet”, ka thënë Bayat.
Më herët në Eredivise të Holandës është vendosur të mos vazhdohet kampionati e po ashtu të mos shpallet kampioni.