Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Belgjika të premten merr vendimin final për fatin e stinorit në futboll

Të premten pritet të vendoset fati i stinorit në ligën e futbollit në Belgjikë.

Derisa nuk do të vazhdohet stinori për shkak të pandemisë COVID-19, vendimet duhet të merren nga asambleja e përgjithshme si për shpalljen e kampionit, për klubet që do të ngjiten në elitë dhe do të bien nga elita, si dhe klubet që do të garojnë në kupat evropiane, shkruan agjencia Reuters.

Belgjika ishte vendi i parë në Evropë që mori vendim për të mos e vazhduar stinorin në futboll, por vendimi i marrë nga bordi i Pro Leagues – që në atë kohë ishte vendosur edhe që Clube Brugge të shpallet kampion – ende nuk është ratifikuar nga klube, tash e gjashtë javë.

Më në fund klubet do të takohen në asamblenë e përgjithshme, nëpërmjet video-konferencës, të premten pas disa shtyrjeve. Shtyrjet kishin ofruar shpresë se mund të vazhdohet stinori.

Por, çdo shpresë u shua javën e kaluar kur qeveria e Belgjikës vazhdoi ndalesën ndaj ngjarjeve sportive deri më 31 korrik.

Një grup punues është caktuar për të vendosur për çështjet e stinorit, por mediumet raportojnë se puna e grupit është vështirësuar nga presioni i klubeve.

Në mesin e disa opsioneve që janë propozuar është të mos shpallet kampioni dhe të mos rrëzohen klubet nga kampionati elitar.

Edhe Liga e Belgjikës lë derën hapur për rifillim Sport Liga e Belgjikës lë derën hapur për rifillim

Këto kërkesa të disa klubeve vijnë ndonëse Club Brugge është duke kryesuar me 15 pikë epërsi, ndërsa deri në fund të stinorit të rregullt ka mbetur vetëm edhe një xhiro.

Ekziston një propozim për të zgjeruar elitën nga 16 në 18 klube stinorin e ardhshëm dhe të largohet sistemi i plejofit, që është prezantuar fillimisht në vitin 2010.

Numri i klubeve në ligën profesionale të Belgjikës pritet të jetë më i vogël stinorin e ardhshëm pasi Lokereni dhe Roeselare, që kanë qenë në rangun e dytë, javën e kaluar kanë mbetur pa u licencuar pas parregullsive. Tash janë 22 klube në vend të 24 klubeve në dy rangjet e para.