Pas pushimit të dimrit, kampionati i Gjermanisë rikthehet me duelet e xhiros së 17-të. Kampioni i dimrit, Bayer Leverkuseni synon ta nisë vitin 2024 ashtu siç e mbylli vitin 2023, me fitore. Ndeshjen e parë të këtij viti në Bundesligë, Leverkuseni e luan në udhëtim. Është mysafir i Augsburgut në duelin që luhet të shtunën dhe nis në orën 15:30. Leverkuseni është lider me 42 pikë dhe në pesë ndeshjet e fundit ka tri fitore e dy barazime, ndërsa ndaj Augsburgut vlerësohet favorit. Augsburgu në tri ndeshjet e fundit kampionale ka marrë vetëm një pikë dhe zë pozitën e 11-të në tabelë me 19 pikë të tubuara.
Të shtunën, në të njëjtën kohë, luhen edhe katër duele të tjera, ndërsa prej orës 18:30 skuadra e Darmstadtit e pret Borussia Dortmundin. Dortmundi pritet ta fitojë këtë ndeshje duke e pasur parasysh dallimin me Darmstadtin, ekip që zë vendin e fundit në tabelë me vetëm dy fitore këtë edicion. Ka tubuar dhjetë pikë, 17 më pak se Dortmundi që është në pozitën e katërt pas 16 javëve të luajtura deri më tani.
Xhiroja e 17-të e Bundesligës gjermane do të mbyllet të dielën me dy ndeshje. Prej orës 15:30, Bochumi e pret në shtëpi Werder Bremenin, ndërsa në orën 17:30 përballen Borussia Moenchengladbachu me Stuttgartin. Stuttgarti është i tretë në tabelë me 34 pikë të mbledhura, 17 më shumë se Gladbachu që në tri ndeshjet e fundit të vitit të shkuar ka regjistruar një barazim dhe dy humbje.