Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Leverkuseni i gatshëm ta ndalë Unionin

Skuadra e Union Berlinit vështirë se do të jetë në krye të klasifikimit në Bundesligë edhe pas xhiros së 13-të. Lideri i befasishëm i këtij sezoni, Unioni, në këtë xhiro e ka një udhëtim të vështirë. Të dielën prej orës 15:30 përballet me Bayer Leverkusenin, në ndeshjen më interesante të kësaj jave në kampionatin gjerman.

Përderisa Unioni kërkon ta mbajë pozitën e parë në tabelë, Leverkuseni e ka synim të largohet nga pjesa e poshtme. Union Berlini ka 26 pikë, një më shumë se kampioni në fuqi, Bayerni që renditet i dytë. Ndërkohë Leverkuseni është në zonën e plejautit me vetëm nëntë pikë të grumbulluara. Ngjashëm sikurse Unioni, edhe Bayernin e pret këtë xhiro një udhëtim te një kundërshtar që po lufton të ngjitet në tabelë.

Bayerni të shtunën do të jetë mysafir i Hertha Berlinit, ekip që ka vetëm dy fitore këtë edicion dhe ka tubuar 11 pikë. Bavarezët, që në mesjavë shënuan fitoren e gjashtë në po aq ndeshje të luajtura në Grupin C të Championsit, konsiderohen favoritë përballë kundërshtarit nga kryeqyteti. Të shtunën luan edhe Borussia Dortmundi që e pret në shtëpi skuadrën e parafundit në tabelë, Bochumin.