Vendi i 30-të i ka takuar klubit me seli në territorin e Kosovës, që të dielën mori pjesë në Kupën e Kampionëve Evropianë për Klube në kros. Bëhet fjalë për klubin AK Leposaviq, që në garën e rëndësishme evropiane të atletikës nuk e ka prezantuar Kosovën. AK Leposaviq e ka prezantuar Serbinë në garën që u mbajt të dielën në Oeiras të Portugalisë.
ECCC Cross Country, ashtu siç njihet shkurt gara, është mbajtur për herë të parë që nga viti 2019. Dhe me miratimin e Federatës Evropiane të Atletikës (European Athletics) si dhe me heshtjen e institucioneve të Kosovës, Federata e Atletikës e Serbisë ka bërë shkelje të madhe të integritetit të sportit kosovar.
Gara për atletët seniorë është zhvilluar në 10 kilometra vrapim. Fitues i Kupës së Kampionëve Evropianë është klubi turk Ankara Ego. Sportingu portugez u rendit i dyti, ndërsa medalja e bronztë i takoi skuadrës italiane Casone Noceto.
Rezultati që arritën atletët e AK Leposaviq, Aleksandar Krstiq, Milosh Krstiq dhe Nikola Ljumoviq, mjaftoi për pozitën e 30-të. Vetëm klubi nga Bosnjë-Hercegovina, AK Cross, kishte rezultat më të dobët. Pra, Leposaviqi ishte i parafundit. Klubi tjetër nga Serbia, AK Apatin, u rendit i 28-ti.
Në Kupën e Kampionëve Evropianë të drejtën e pjesëmarrjes e kishin klubet kampione dhe nënkampione të garave shtetërore. AK Leposaviq, që selinë e ka në qytetin me emër të njëjtë në veri të Kosovës, është nënkampion i Serbisë. Kështu u kualifikua për ngjarjen e madhe evropiane në kros.
Federatës Evropiane të Atletikës nuk i ka lënë fare përshtypje që AK Leposaviqi ka selinë në Kosovë. European Athletics e llogarit Leposaviqin klub të Serbisë, ndërsa bazohet vetëm në faktin që klubi është i regjistruar dhe i licencuar në Federatën e Atletikës së Serbisë.
“Ne e konfirmojmë që klubi AK Leposaviq është regjistruar nga Federata anëtare e Serbisë për të garuar në Kupën e Kampionëve Evropianë për Klube në kros. E drejta e klubit mund të kontrollohet në listën e mëposhtme të klubeve të licencuara të Federatës së Atletikës së Serbisë, faqja katër, numër 112”, thuhet në një përgjigje për KOHËN që të premten e ka dërguar Sandrine Glacier, menaxhere e “European Athletics” për gara dhe shërbime ndaj ekipeve.
Natyrisht AK Leposaviq është i regjistruar në Federatën e Atletikës së Serbisë. Madje si klub i organizatës së ashtuquajtur “Federata e Atletikës e Kosovës dhe Metohisë”. Pjesë e kësaj organizate, që sipas ligjeve në fuqi është ilegale në Kosovë, janë gjithsej katër klube: Leposaviqi, Fushë-Kosova (Kosovo Polje), Prilluzha dhe Trepça.
“Për më tepër, ta keni parasysh që Federata e Kosovës nuk ka regjistruar asnjë klub për të garuar në atë garë”, ka shkruar tutje menaxherja e “European Athletics”, Sandrine Glacier.
Në ECCC Cross Country është garuar në disa disiplina. Vrapueset deri në 20 vjet kanë garuar në 4.2 kilometra. 20-vjeçarët kanë garuar në 6.2 kilometra. Vrapueset seniore garuan në 6.4 kilometra, ndërsa është garuar edhe në stafetën mikse, 4x1600 metra.
Fakti që një klub nga territori i Kosovës ka përfaqësuar Serbinë në një garë evropiane nuk ka lënë shumë përshtypje në Kosovë. Kjo shkelje madje është kaluar në heshtje të plotë. Nuk ka pasur ndonjë reagim nga Federata e Atletikës e Kosovës, Komiteti Olimpik i Kosovës apo nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. KOHA ka pyetur për shkeljen e bërë në Federatën e Atletikës së Kosovës dhe në MKRS, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Muaj më parë një këshill për parandalimin e dhunës dhe të dukurive negative në sportin e Kosovës kishte diskutuar për mënyrën se si të ndalojë aktivitetet sportive të Serbisë në territorin e Kosovës. Madje ishin nxjerrë edhe rekomandime dhe ishte bërë një paralajmërim për klubet e serbëve nga territori i Kosovës. Por situata në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Me rastin e Leposaviqit vetëm mund të jetë rënduar.