Sport

E rëndë, klubi nga territori i Kosovës përfaqëson Serbinë në Kupën Evropiane

Një klub i atletikës nga territori i Kosovës do ta përfaqësojë një shtet tjetër në një ngjarje jo pak të rëndësishme evropiane. Një shkelje si kjo nuk është bërë e ditur të ketë ndodhur deri më tani.

Bëhet fjalë për klubin e atletikës, AK Leposaviq, që e prezanton shtetin fqinj, Serbinë, në Kupën e Kampionëve Evropianë për Klube në kros. Ngjarja shkurt njihet si ECCC Cross Country dhe do të mbahet të dielën, më 6 shkurt, në Oeiras të Portugalisë.

Federata Evropiane e Atletikës (European Athletics) tashmë ka konfirmuar listën e klubeve dhe të atletëve pjesëmarrës.

Aty shkruan se AK Leposaviq, së bashku me AK Apatin, përfaqësojnë Serbinë në konkurrencë të meshkujve. Janë katër atletë që do të paraqiten për Leposaviqin: Aleksandar Krstiq, Milosh Krstiq, Nikola Ljumoviq dhe Aleksandar Neshevski. AK Srem është klubi i tretë nga Serbia në këtë ngjarje, e që garon tek atletet.

Kosova nuk është pjesë e kësaj ngjarjeje evropiane. Por një klub nga territori i Kosovës po, ndonëse në mënyrë ilegale.

“Lista finale për ECCC Cross Country, që kthehet në kalendar për herë të parë nga viti 2019, është publikuar. ECCC Cross Country do të mbahet në Oeiras të Portugalisë të dielën më 6 shkurt”, shkruan ndër të tjera në një njoftim të “European Athletics”.

Për pjesëmarrjen e Leposaviqit në këtë ngjarje evropiane, Federata Atletike e Serbisë ka njoftuar përmes sajtit zyrtar më 1 shkurt.

“Qyteti portugez prej 4 deri më 7 shkurt do t’i presë klubet më të mira evropiane nga 20 shtete që do të paraqiten në garën më prestigjioze evropiane në kros. Do të jenë mbi 350 atletë”, ka njoftuar Federata serbe.

“Republikën e Serbisë në Kupën e Kampionëve Evropianë, ku plasmanin e kanë siguruar ekipet kampione dhe nënkampione të kontinentit të vjetër, do ta përfaqësojnë AK Apatin, kampion i Serbisë në kros për vitin 2021 dhe AK Leposaviq nga Leposaviqi, nënkampion i Serbisë për vitin 2021”, vazhdon njoftimi.

Udhëtimi i atletëve të Leposaviqit është planifikuar për të premten. Atletët e Leposaviqit do të garojnë në 10 mijë metra, ndërsa janë pjesë e garës me 30 ekipe nga 20 shtete. Ekipet i kanë nga katër atletë, ndërsa për plasman merret për bazë rezultati i tre atletëve më të mirë.

Në sajtin zyrtar të Federatës së Atletikës së Serbisë (sas.org.rs), klubi AK Leposaviq është i evidentuar si pjesë e të ashtuquajturës “Federatës së Atletikës së Kosovës e Metohisë”. Pjesë e kësaj “federate” janë katër klube gjithsej. Nuk ka të evidentuar klub tjetër me emrin Leposaviqi, pos atij nga qyteti verior i Kosovës.

Ndërkohë, Federata Atletike e Kosovës po bën përpjekje për të marrë pjesë në një kampionat ballkanik për të rinj që mbahet më 12 shkurt në Beograd. Kryeqendra serbe do ta organizojë edhe Botërorin në palestër, që mbahet prej 18 deri më 20 mars.

Në Federatën Botërore të Atletikës kanë thënë se nuk presin të kenë telashe me shtetin serb për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjen e madhe sportive.

“Është kusht për të organizuar ngjarje dhe nuk presim ndonjë problem”, kanë thënë nga Federata Botërore e Atletikës në fillim të janarit, kur janë pyetur se a presin të kenë telashe për pjesëmarrjen e Kosovës.

KOHA i ka shkruar Federatës Evropiane të Atletikës dhe organizatorit të ngjarjes në Portugali për t’i pyetur për shkeljen e rëndë. Nuk ka marrë ende përgjigje.