Sport

Federatës Evropiane nuk i intereson që Leposaviqi është nga Kosova, e pranon si klub të Serbisë

Shtrirja e Federatës së Atletikës së Serbisë në territorin e Kosovës nuk është ilegale për Federatën Evropiane të Atletikës (European Athletics). Kështu të paktën mund të kuptohet një përgjigje që “European Athletics” ka kthyer për KOHËN të premten.

Federata Evropiane e Atletikës ka konfirmuar se klubi me seli në territorin e Kosovës, AK Leposaviq, do ta përfaqësojë Serbinë në Kupën e Kampionëve Evropianë në kros që të dielën mbahet në Oeiras të Portugalisë.

KOHA të enjten ka shkruar për shkeljen e rëndë të integritetit të sportit kosovar. Për herë të parë një klub me seli në territorin e Kosovës e përfaqëson Serbinë në gara ndërkombëtare. ECCC Cross Country, si njihet shkurt gara që mbahet në Portugali, vlerësohet me peshë. Është garë ekipore dhe klubet i përfaqësojnë shtetet e tyre. Marrin pjesë kampionët dhe nënkampionët shtetërorë në kros.

Ndonëse nga territori i Kosovës, AK Leposaviq është pjesë e Federatës së Atletikës së Serbisë dhe është nënkampion i shtetit fqinj të Kosovës. Natyrisht të gjithë garuesit i ka serbë. Është nga Leposaviqi, qyteti verior i Kosovës i banuar me shumicë serbe. Katër atletët e Leposaviqit të premten udhëtuan për në Portugali, ndërsa të dielën do të garojnë në Kupën Evropiane.

Për Federatën Evropiane e rëndësishme është që AK Leposaviq është i regjistruar dhe i licencuar në Federatën e Atletikës së Serbisë.

“Ne e konfirmojmë që klubi AK Leposaviq është regjistruar nga federata anëtare e Serbisë për të garuar në Kupën e Kampionëve Evropianë për Klube në kros. E drejta e klubit mund të kontrollohet në listën e mëposhtme të klubeve të licencuara të Federatës së Atletikës së Serbisë, faqja katër, numër 112”, thuhet në një përgjigje për KOHËN të Sandrine Glacier, menaxhere e “European Athletics” për gara dhe shërbime ndaj ekipeve.

Numër 112 në listën e klubeve të licencuara të Federatës së Atletikës së Serbisë është AK Leposaviq. Në listë ceket që AK Leposaviq është pjesë e të ashtuquajturës “Federatës së Atletikës të Kosovës e Metohisë”. Pjesë e kësaj të ashtuquajture federatë janë katër klube: Fushë-Kosova (Kosovo Polje), Leposaviqi, Prilluzha dhe “Trepça”.

Është kjo organizatë e Federatës së Atletikës së Serbisë me shtrirje në territorin e Kosovës. Është organizatë ilegale sipas ligjeve në fuqi të Kosovës.

Por nuk është ilegale sipas përgjigjes së “European Athletics” për KOHËN. Kosova është anëtare me të drejta të plota e “European Athletics”. Në bazë të përgjigjes mund të kuptohet që Federata e Atletikës së Kosovës nuk ka bërë ndonjë kundërshtim zyrtar për pjesëmarrjen e klubit nga territori i Kosovës në Kupën Evropiane, si përfaqësues i Serbisë.

“Për më tepër, ta keni parasysh që Federata e Kosovës nuk ka regjistruar asnjë klub për të garuar në atë garë”, ka shkruar tutje menaxherja e “European Athletics”, Sandrine Glacier.

KOHA ka kontaktuar edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Federatën e Atletikës së Kosovës lidhur me këtë shkelje. Por, nuk ka marrë ende përgjigje.

Federata e Atletikës së Kosovës ka paraqitur ekipin për të garuar në një kampionat ballkanik për të rinj që pas nëntë ditësh mbahet në Beograd. Ndërkohë, shpreson të garojë edhe në Botërorin në palestër që mbahet në Beograd në fund të marsit. Nga Federata Botërore e Atletikës kanë thënë se nuk presin telashe për paraqitjen e Kosovës në Botëror, pasi sipas saj, pjesëmarrja e të gjitha federatave të interesuara është kusht për organizimin e garës. Ndërkohë “European Athletics”, të paktën për rastin e AK Leposaviq, po del se ka qasje më ndryshe.