Prishtinë, 8 nëntor – Klubet sportive nga veriu i vendit janë paralajmëruar që të zbatojnë ligjet e Kosovës. Kjo nënkupton që klubet e përbëra nga serbët e që selinë e kanë në territorin e Kosovës, të heqin dorë nga garat e federatave sportive të Serbisë dhe të përfshihen në garat që i organizojnë federatat sportive të Kosovës.
Kjo në fakt ka pak gjasa të ndodhë së shpejti, bazuar në qëndrimin e drejtuesve të këtyre klubeve, por edhe organizatave sportive nga qytetet e banuara me shumicë serbe. Madje organizimi paralel e ilegal vetëm mund të shkojë duke u forcuar.
Ka gjasë që klube të përbëra nga serbët e me seli në territorin e Kosovës të përfaqësojnë Serbinë në aktivitete ndërkombëtare. Të paktën një gjë të tillë e ka paralajmëruar Federata e Atletikës e Serbisë, ndërsa për një mundësi të tillë kanë shkruar mediume të vendit në gjuhën serbe.
Janë dy klube nga veriu i Kosovës që të paktën në bazë të rezultatit në gara e kanë të drejtën e paraqitjes në një kampionat evropian të atletikës.
“Në bazë të rezultateve nga kampionati ekipor i Serbisë në kros, klubet e regjistruara për paraqitje në ECCC ne kros janë: AK Morava Çuprija e ‘AK Trepça Kosovska Mitrovica’ për juniorë të vjetër, AK Apatin e AK Leposaviq për seniorë. Ju lutem që deri të premten më 5 nëntor të konfirmoni apo të anuloni pjesëmarrjen në këtë garë, në mënyrë që të bëjmë paraqitjen preliminare të klubeve të interesuara”, ka shkruar Edin Zukoviq, përzgjedhës federal i Federatës së Atletikës së Serbisë. Emailin e tij e ka publikuar institucioni për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara i komunës ilegale të “Mitrovicës së Kosovës”.
Ky organ ilegal nuk ka bërë të ditur nëse klubi i ashtuquajtur Trepça është paraqitur për të garuar në Kupën e Kampionëve të Evropës për Klube në Kros (European Champion Clubs Cup Cross Country).
“Klubi atletik Trepça është ftuar për të marrë pjesë në Kampionatin Ekipor të Evropës në Portugali. Ju lumtë atletëve të Trepçës”, thuhet në njoftimin e fundit të këtij organi ilegal.
Nuk ka ndonjë njoftim as nëse Leposaviqi është paraqitur për të garuar në këtë ngjarje jo pak të rëndësishme. Të dhënat zyrtare në Federatën e Atletikës së Serbisë dëshmojnë që bëhet fjalë për klubin nga veriu i Kosovës dhe se nuk ka ndonjë klub tjetër “Leposaviq” të regjistruar.
Pavarësisht nëse marrin pjesë apo jo, kjo vlerësohet një tjetër goditje për sistemin sportiv në vend dhe për shtrirjen e autoritetit të shtetit në të gjithë territorin.
Në të vërtetë në javët e fundit klubet e seniorëve që bëjnë gara në sistemin e Serbisë ndeshjet i kanë luajtur kryesisht në qytete të afërta me Kosovën e jo në shtetin tonë. Kështu Mokra Gora në hendboll është zhvendosur në Novi-Pazar për ndeshjet si vendas. I ashtuquajturi klubi i futbollit Trepça ka luajtur në Kralevë.
Por ka pasur aktivitete, sidomos te të rinjtë, që janë mbajtur në territorin e Kosovës, e që janë organizuar nga federatat e Serbisë, përkatësisht organizatat pjesë e tyre.
Në të kaluarën ka pasur sportistë serbë nga Kosova që kanë prezantuar Serbinë në gara ndërkombëtare. Por nuk ka ndodhur që ndonjë klub nga territori i Kosovës të përfaqësojë Serbinë në aktivitete serioze ndërkombëtare. Ka pasur një pjesëmarrje ballkanike të peshkatarëve serbë nga Mitrovica, që kanë prezantuar Serbinë, një muaj më parë në Maqedoni të Veriut.
Mediumet serbe nga Kosova e kanë bërë punë të kryer pjesëmarrjen e të ashtuquajturit klubi Trepça në garën në Portugali.
“Klubi atletik Trepça do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian për klube që do të mbahet në Portugali, kanë njoftuar nga Federata e Atletikës e Serbisë”, shkruan në një shkrim të “radiokontaktplus.org”.
Kampionati ekipor i Serbisë në kros ishte mbajtur më 24 tetor në Sombor. Te seniorët në konkurrencë ekipore kampion ishte Apatini, ndërsa nënkampion Leposaviqi. Te juniorët e vjetër, kampion doli Morava, para të ashtuquajturit klubi Trepça. Vendi i dytë mjaftoi për të fituar të drejtën e garimit në Evropian, sipas Federatës serbe.
Kampionati Evropian për klube në kros do të mbahet në Oeiras të Portugalisë më 6 shkurt të vitit të ardhshëm. Federata Evropiane e Atletikës nuk ka njoftuar se cilat ekipe do të marrin pjesë.
Por pritet pjesëmarrja e mbi 350 vrapuesve nga mbi 20 vende evropiane. Do të garohet në pesë kategori.
Ishte Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive që u mor me aktivitetet e federatave serbe në territorin e Kosovës. Pasi boksierët e Kosovës nuk u lejuan të hynin në territorin e Serbisë për të garuar në Botëror, Këshilli u mblodh dhe lëshoi një komunikatë. Nuk kishte ndonjë vendim të prerë që thoshte se aktivitetet e federatave sportive të Serbisë duhet të ndërpriten. Kishte disa rekomandime dhe një paralajmërim.
“Këshilli paralajmëron të gjitha klubet që nuk janë pjesë e federatave nacionale të Kosovës se për organizimin e aktiviteteve ilegale sportive, do të jenë të detyruara që të zbatojnë ligjet e Kosovës, ku përfshihen edhe sanksionet ndaj personave apo subjekteve që nuk i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës”, shkruan në komunikatë.
Këtë vit ka pasur tendencë për të shtuar aktivitetet sportive të federatave serbe në Kosovë. Ndër të tjera ishin formuar seleksione të “Kosovës e Metohisë” për të rinj në futboll, ndërsa ishte paralajmëruar edhe seleksioni i seniorëve.