Luftëtari shqiptar, Ilir Latifi, do të kthehet në aksion gjatë muajit shkurt, pasi pësoi një lëndim të syrit që ia rrezikoi karrierën.
Latifi, që ka bilanc prej 15 fitoreje, kurse tetë humbje në MMA dhe bilanc 8:6 në UFC, do të përballet me Alexandr Romanov në ngjarjen “UFC Fight Night”, që mbahet më 19 shkurt.
Kjo është bërë e ditur të martën nga organizatorët. UFC-ja është seria kryesore e Arteve Marciale të Përziera (MMA).
Ende nuk dihet ku do të mbahet ngjarja e 19 shkurtit, por duelet tashmë po caktohen.
Latifi 38-vjeçar, është nga Kosova, ndërsa është rritur në Suedi. Ai së fundi në kafaz u paraqit më 5 qershor. Fitoi ndaj Tanner Boser me vendim të gjyqtarëve. Fitorja erdhi pas tri humbjeve rresht në UFC. Me gjithë fitoren, Latifi nuk doli pa pasoja nga kafazi. Ai pësoi dëmtim të rëndë të syrit nga një goditje që mori. Kishte telashe me shikim për disa javë pas duelit.
Edhe
Ilir Latifi tërhiqet nga meçi me Oleinikun
Kundërshtari i ardhshëm i Latifit, Romanov, është nga Moldavia. 31-vjeçari ka nofkën “King Kong”. Në UFC ka fituar katër duelet e deritashme. Edhe në MMA ka vetëm fitore. Gjithsej ka 15 fitore, duke llogaritur edhe katër duelet e UFC-së.
Në secilën mbrëmje që e organizon UFC-ja organizohen nga disa luftëra. Tashmë në UFC ka depërtuar edhe Ramiz Brahimaj, por Latifi është i pari prej luftëtarëve shqiptarë që është paraqitur në serinë superiore.