Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lëndimi bizar ia anulon meçin ish-kampionit të botës

Carl Frampton është dashur të anulojë meçin e boksit të së shtunës kundër Emmanuel Dominguezit, pas një aksidenti të frikshëm, ku iu thye dora nga një shtyllë dekoruese.

Ish-kampioni i botës në peshën pendël ishte paraparë të përballej me meksikanin Dominguez në Philadelphia të shtunën, në meçin e tij të parë qëkur humbi nga kampioni i versionit IBF, Josh Warrington në dhjetor. Por 32-vjeçari ka konfirmuar se një incident bizar me një zbukurim në hollin e hotelit ia ka thyer dorën atij, shkruan “The Sun”.

“SunSport” ka mësuar se ai ishte paraparë të fitonte 750 mijë funte (815 mijë euro) nga përballja me Dominguezin, transmeton “Koha Ditore”. Ai po ashtu kishte shpenzuar 30 mijë funte (32.5 mijë euro) për përgatitje, si pagesat për udhëtim, për partnerët e sparingut, për ushqim dhe për kampe të shumta nga Manchesteri e deri në Philadelphia së fundi.

Ai thotë se një shtyllë betoni që ishte dekoruese ra nëpërmjet perdes dhe direkt në tavolinën ku e kishte dorën ai.

“Sot ndodhi një aksident i tmerrshëm dhe nuk do të jem në gjendje të përballem me Emmanuel Dominguezin. Një zbukurim i madh, në hollin e hotelit, u rrëzua aksidentalisht dhe më goditi në dorën e majtë, duke ma thyer dorën. Jam shumë i dëshpëruar për tifozët që kanë udhëtuar, po ashtu për vete dhe për skuadrën time. Kam dhënë çdo gjë nga vetja në këtë kamp, kam qenë larg nga bashkëshortja ime e jashtëzakonshme dhe nga fëmijët e mi, dhe më duket se është çuar dëm kjo. Ndonëse ishte jashtë kontrollit tim, dua t'u kërkoj falje Emmanuelit, MTK Globalit, Top Rankut, skuadrës sime, tifozëve të mi dhe bashkëshortes e fëmijëve që kam qenë larg tyre për një kohë të gjatë. Jam shumë i dëshpëruar”, ka shkruar Frampton në rrjetet sociale.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)