Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Leipzigu ia vazhdon kontratën Ibrahimit dhe e huazon te Braunschweigu

Sulmuesi i krahut, Mehmet Ibrahimi e ka vazhduar kontratën me ekipin nga Bundesliga, Leipzig, por sezonin e ri do të luajë në një rang më poshtë, Bundesligën 2. Me të vazhduar kontratën me Leipzigun deri në vitin 2024, Ibrahimi është huazuar për një vit te skuadra e Eintracht Braunschweigut. Ai do të jetë pjesë e Braunschweigut deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm dhe do ta bartë fanellën me numrin tetë, ka njoftuar ekipi gjerman. 19-vjeçari po vlerësohet si lojtar me potencial nga drejtuesit e klubit të kategorisë së dytë gjermane. Ai tashmë i është bashkuar ekipit të ri në fazën përgatitore për edicionin 2022/23.

“Me Mehmetin, ne si klub kemi huazuar një lojtar që ka potencial dhe do të donim ta shihnim në krahun e majtë të sulmit. Mehmeti është i trajnuar mirë në futboll dhe do të sigurojë edhe më shumë konkurrencë në pozitën, e cila ende nuk është finalizuar”, ka thënë drejtori i Braunschweigut, Peter Vollmann.

E huazimin te Braunschweigu, Ibrahimi po e vlerëson si hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Ai për KOHËN ka thënë të martën se pret të ketë minutazhë tek ekipi i ri, të cilin synon ta ndihmojë në arritjen e synimeve. Mehmeti sezonin e shkuar ka luajtur për juniorët e Leipzigut dhe në 20 paraqitje në të gjitha garat ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar tri herë. Ndërsa, prej fillimit të këtij viti, Ibrahimi është stërvitur rregullisht me ekipin e parë të Leipzigut nën urdhrat e trajnerit Domenico Tedesco.

“Si lojtar i ri që jam, mendoj se kalimi te Braunschweigu është një hap para në karrierë. Po ashtu, është ndjenjë e mirë për mua dhe nder që do të barti fanellën e këtij klubi të njohur”, ka thënë Ibrahimi. “Sigurisht që pres të luaj dhe ta ndihmoj ekipin në arritjen e synimeve. Unë fillimisht e kam vazhduar kontratën me Leipzigun deri në vitin 2024 dhe pastaj u huazova për një vit te Braunschweigu, ku do të fitoj më shumë përvojë dhe do të rritem edhe si lojtar”.

Ai gjithashtu ka shtuar se është shumë i kënaqur me paraqitjet që i pati te juniorët e Leipzigut edicionin e shkuar dhe pret të vazhdojë me formë të mirë edhe te Braunschweigu. Ibrahimi kishte edhe oferta prej klubeve të tjera, por vendosi të huazohej te Braunschweigu pas bisedave që i pati personalisht me trajnerin Michael Schiele.

Edhe Talenti Ibrahimi transferohet nga Leipzigu te Linzi Sport Talenti Ibrahimi transferohet nga Leipzigu te Linzi

“Kisha edhe oferta të tjera, por mendoj se kam bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme, e cila erdhi pas bisedave me trajnerin dhe drejtorin sportiv që më bindën të bashkohem me ekipin. Jam i bindur se do të jem i suksesshëm duke e ditur se stili i lojës që e aplikon trajneri te Braunschwiegu më përshtatet shumë. Të luaj në Bundesligën 2 do të jetë diçka e veçantë për mua”, insistoi Ibrahimi.

Ibrahimi ka paraqitje për gjeneratat e reja të Gjermanisë (U16 e U17), ndërsa vitin e shkuar ka debutuar me ekipin U19, për të cilin i ka luajtur dy ndeshje. Braunschweigu është kthyer në Bundesligën 2 për sezonin e ri, pasi edicionin 2021/22 doli i dyti në kategorinë e tretë gjermane.