Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Talenti Ibrahimi transferohet nga Leipzigu te Linzi

Futbollisti 20-vjeçar, Mehmet Ibrahimi, ka ndërruar mjedis të martën. Sulmuesi i krahut ka kaluar nga skuadra e madhe gjermane, RB Leipzig, te Blau-Weiss Linz në Austri.

Me Linzin, Ibrahimi ka firmosur për dy vjet.

Blau-Weiss Linz për herë të parë do të luajë në Bundesligën austriake. Është klub relativisht i ri, i formuar në vitin 1997. Edicionin e kaluar e fitoi titullin në kategorinë e dytë austriake dhe siguroi promovimin. Titullin e kishte fituar edhe në vitin 2021, por nuk kishte aplikuar për licencë të Bundesligës.

Kjo skuadër megjithatë vlerësohet e duhura për Ibrahimin, që të bëjë hapat e parë të rëndësishëm në futbollin e të rriturve. Kontrata e Ibrahimit ka opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të festoj suksesin së bashku me tifozët tanë të shkëlqyer”, ka thënë Mehmet Ibrahimi.

Ai është i lindur në Troisdorf të Gjermanisë, ndërsa ka prejardhje nga Kosova. Është zhvilluar si lojtar te Rot-Weiss Huette dhe te Koelni. Prej vitit 2017 është te RB Leipzigu. Është grumbulluar dy herë për ndeshje të Bundesligës, por nuk ka debutuar. Në nëntor të vitit të kaluar i luajti dy ndeshje në Bundesliga 2 për Eintracht Braunshcweigun, ku ishte i huazuar.

Te skuadra austriake presin shumë nga Ibrahimi. Kanë thënë se është futbollist i talentuar që do të forcojë skuadrën.

“Mehmeti na ka bindur 100 për qind që përshtatet në ekipin tonë. Është lojtar i ushtruar shumë mirë që do të shtojë kualitet në lojën tonë”, ka thënë Gerald Scheiblehner, trajner i BW Linz.

Ibrahimi ka luajtur për U16, U17 e U19 të Gjermanisë. Në 12 paraqitje i ka dy gola. Përfaqësuesit e tij e kanë lënë të hapur mundësinë që Ibrahimi të bashkohet me Kosovën, nëse zhvillimi në Austri është i duhuri.

Artikuj të ngjashëm