Një betejë e Ferrarit kundër Red Bullit do të jetë skenari i mundshëm në garën e së dielës për Çmimin e Madh të Australisë në Formula 1. Kjo do të jetë gara e parë e F1 në Australi që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, ka shkruar AP të shtunën.
Piloti i skuderisë së Ferrarit, Charles Leclerc siguroi pozitën e parë në provat e së shtunës dhe do të niset nga “pole-position” në garën e së dielës. Në shtegun “Albert Park” në Melbourne, Leclerc pati kohë prej 1 minute e 17.868 sekondave për ta siguruar pozitën e parë.
Mirëpo, afër tij ishin kampioni në fuqi, Max Verstappeni i Red Bullit (1:18.154) dhe kolegu i tij, Sergio Perez (1:18.240), që do të nisen nga pozita e dytë, përkatësisht e tretë. Leclerc dhe Verstappen kanë ndarë dy garat hapëse të sezonit në Bahrein e Arabinë Saudite, dhe tani do të nisin krah njëri-tjetrit në rreshtin e parë në Australi.
Për Leclercun ky është “pole-position” i dytë këtë edicion dhe i 11-ti në karrierën e tij.