Sport

Lazio shqyrton shitjen e menjëhershme të Muriqit

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi pritet të largohet nga skuadra e Lazios pas vetëm një sezoni në Itali. Mediumi i afërt me Lazion, sajti “La Lazio Siamo Noi” ka shkruar të martën se te ekipi italian po e shqyrtojnë shitjen e menjëhershme të Muriqit, pra në fund të këtij edicioni.

Te Lazio nuk janë aspak të kënaqur me atë që ka treguar Muriqi deri më tani. Sulmuesi kosovar ka vetëm dy gola e një asistim në 25 paraqitje në të gjitha garat për Lazion, ekip që pagoi 18.5 milionë për transferimin e tij nga Fenerbahçe.

“Muriqi ka zhgënjyer në Serie A pasi nuk i ka realizuar pritshmëritë e klubit pasi ka shënuar vetëm një gol në ligë. Ai mbetet një subjekt misterioz te Lazio, klub që tashmë po planifikon shitjen e tij në fund të sezonit”, ka shkruar sajti italian. Në rast se largohet nga Lazio, atëherë gjasat janë të mëdha që Muriqi të rikthehet te Fenerbahçe, ekip për të cilin shënoi 17 gola në 36 ndeshje sezonin e kaluar. Gjithashtu, opsion mbetet edhe Anglia, saktësisht klubet si Burnley, Manchester Unitedi e Tottenhami nëse janë të gatshme të paguajnë dëmshpërblimin për të, që ende nuk është caktuar nga Lazio. Muriqi 26-vjeçar ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025.