Sport

Lazio me Muriqin e Strakoshën e pret Juventusin

Të dielën më 8 nëntor në orën 12:30, Lazio e Vedat Muriqit, portierëve Thomas Strakosha e Marco Alia, do të jenë nikoqirë të kampionit në fuqi të Serisë A, Juventusit.

Pas gjashtë ndeshjeve, Juventusi befasisht është më poshtë në tabelë sesa që ka qenë në sezonet e kaluara. Për momentin, pozicionohet në vendin e tretë prapa Milanit e Sassuolos, por synon që të dielën në mesditë të arkëtojë pikët e plota kundër lacialëve në Romë.

Fillimi i edicionit nuk ka qenë i lehtë për Juventusin. “Zonja e Vjetër” luajti pa Cristiano Ronaldon për katër ndeshje, pasi portugezi ishte i infektuar me koronavirus.

Skuadra e drejtuar nga Andrea Pirlo vjen me vetëbesim pas dy fitoreve të njëpasnjëshme me shifrat 4:1, kundër Spezias dhe Ferencvarosit.

Edhe Lazio pati nisje të ngjashme të kampanjës. Në gjashtë duelet e fundit, i kanë të njëjtat shifra, tri fitore, dy barazime dhe një humbje. “Shqiponjat” në Evropë nuk dinë për disfatë. Në duelin e fundit, në Ligën e Kampionëve, titullar ishte edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, që luajti për 59 minuta në barazimin 1:1 në udhëtim te Zeniti.

Barazimi i fundit ndërmjet Lazios dhe Juventusit në Serie A ka qenë i vitit 2014, 1:1.

Në 12 ndeshjet e fundit, bilanc dukshëm më të mirë në fitore kanë “bianconerët” që kanë arritur 10 fitore, krahas dy të “biancocelestëve”.

Cristiano Ronaldo është shënuar në listën e realizatorëve në tri ndeshjet e fundit këtë sezon. Por për Lazion, rreziku kryesor mbetet Paulo Dybala, që i ka shënuar këtij ekipi shtatë herë, më shumë gola se ndaj çdo skuadre tjetër.

Milani ndërkohë që ende nuk ka pësuar disfatë në edicionin e sivjetmë në Serie A me pesë fitore e një barazim, e mbyll xhiron e shtatë në Serie A në “San Siro”, kur do të luajë kundër Hellas Veronës të dielën në orën 20:45.

“Rossonerët” e mbyllën serinë e 24 ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat të enjten, kur në Ligën e Evropës u befasuan me humbjen 3:0 nga Lille i Francës.

Milani asnjëherë nuk ka humbur nga Verona në shtëpi. Ka fituar 17 herë dhe ka barazuar në 14 rastet e tjera.