Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muriqi pritet të jetë titullar kundër Juventusit

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, pritet t’i prijë sulmit të skuadrës së Lazios në ndeshjen derbi të Serie A, kundër Juventusit. “Sky Sport Italia” ka raportuar të premten se Muriqit do t’i besohet vendi i titullarit në këtë përballje nga trajneri i Lazios, Simone Inzaghi.

Dueli mes Lazios dhe Juventusit, luhet në Romë të dielën dhe i takon xhiros së shtatë të kampionatit italian. Ndeshja nis në orën 12:30. Muriqi do të aktivizohet prej minutës së parë për shkak se sulmuesi kryesor i Lazios, Ciro Immobile nuk është stërvitur fare në dhjetë ditët e fundit pasi kishte rezultuar pozitiv me COVID-19. “Trajneri Simone Inzaghi në derbin kundër Juventusit, do t’ia besoj vendin e titullarit Vedat Muriqit pasi Immobile nuk është stërvitur as të premten”, ka shkruar ndër të tjera sajti italian.

Muriqi gjatë afatit kalimtar iu bashkua Lazios nga skuadra e Fenerbahçes për 17 milionë euro. Ai deri më tash, ka regjistruar gjashtë paraqitje për ekipin italian në të gjitha garat dhe është në kërkim të golit të parë. Lazio zë vendin e dhjetë në Serie A me dhjetë pikë, dy më pak se Juventusi që është i treti.

Artikuj të ngjashëm