Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muriqi mund të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Veronas

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi ka gjasa të mëdha të luajë për Lazion në ndeshjen kampionale kundër Veronas, që zhvillohet të shtunën mbrëma në kuadër të xhiros së 11-të të Serie A. Mediumet italiane kanë raportuar të enjten se Muriqi tashmë është rikuperuar nga lëndimi dhe i është bashkuar ekipit në stërvitje.

Madje, thuhet se ka shumë mundësi që ai të jetë titullar në këtë duel për shkak të lodhjes së Ciro Immobiles. Muriqi në dy ndeshjet e fundit kampionale i ka munguar Lazios për shkak të lëndimit dhe ishte raportuar se nuk do të jetë i gatshëm deri në janar.

“Pas lëndimit që e pësoi kohë më parë, Muriqi është rikthyer në stërvitje dhe gjasat janë të mëdha që të jetë i gatshëm për ndeshjen me Veronan. Në fakt, trajneri i Lazios, Simone Inzaghi ka gjasa që Muriqin ta aktivizojë prej minutës së parë në këtë takim për ta pushuar Immobilen”, kanë raportuar mediumet italiane, të afërta me Lazion.

Është raportuar se trajneri Inzaghi do ta përcjellë gjendjen e Muriqit edhe në stërvitjet e së premtes për t’u siguruar plotësisht se sulmuesi i Kosovës tashmë është rikuperuar nga lëndimi. Muriqi 26-vjeçar, para fillimit të këtij edicioni u transferua te Lazio nga Fenerbahçe për 17.5 milionë euro dhe me ekipin italian firmosi kontratë deri në vitin 2025. Ai me Lazion ka regjistruar tetë paraqitje në të gjitha garat dhe ende nuk ka shënuar gol.