Lazio ka arritur të kthehet te fitorja të shtunën në shtëpi duke e mposhtur Interin me përmbysje 3:1.
Në pjesën e parë ishte Interi që kaloi në avantazh në minutën e 12-të.
Ivan Perishiq u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1:0. Me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë vendasit ishin më kërkues duke gjetur golin e barazimit.
Në minutën e 64-të Ciro Immobile realizoi nga penalltia për 1:1.
Në minutën e 81-të Anderson kaloi skuadrën e tij në epërsi prej 2:1.
Deri në fund vendasit realizuan edhe një herë me Milinkoviq-Saviq për 3:1.
Në këtë ndeshje nga minuta e parë luajti mbrojtësi shqiptar, Elseid Hysaj, derisa në bankën rezervë te Lazio ishin edhe Vedat Muriqi dhe Thomas Strakosha.
Lazio tani ka 14 pikë në vendin e pestë, ndërsa Interi me 17 pikë renditet i treti.