Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lautaro gradohet në kapiten tek Interi

Lautaro Martinez - INTER

Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, do ta ketë një përgjegjësi shtesë edicionin e ardhshëm tek ekipi italian. Interi të mërkurën ka njoftuar se argjentinasit i është besuar shiriti i kapitenit, ndërsa zëvendës i tij do të jetë mesfushori Nicolo Barella.

Këtë vendim, ekipi italian e mori pasi gjatë këtij afati kalimtar mbeti pa Milan Skriniarin dhe Marcelo Brozoviqin, të cilët edicionin e shkuar kanë bartur shiritin e kapitenit në fushë.

Me veprimin e bërë ndaj Lautaros, Interi ka vërtetuar se sulmuesi mbetet njëri prej lojtarëve kryesorë në ekip, të cilit së shpejti pritet edhe t’i ofrohet kontrata e re.

25-vjeçari është pjesë e Interit prej vitit 2018, ndërsa kontrata aktuale i skadon në vitin 2026. Ai me fanellën e Interit ka pesë trofe të fituar, përfshirë një titull kampioni.

Edicionin e shkuar, Lautaro shënoi 28 gola dhe bëri 11 asistime në të gjitha garat për Interin.