Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Largohen xhudistët, kthehen rezultatet e zbehta për Kosovën

Xhudistët e Kosovës të shtunën janë larguar nga Orani i Algjerisë, ku po mbahen Lojërat Mesdhetare. Dhe me largimin e tyre janë kthyer edhe rezultatet e zbehta për sportistët kosovarë në ngjarjen shumësportëshe. Me pak përjashtime, rezultatet ishin të zbehta edhe para se xhudistët të nisnin garimin, të mërkurën e kaluar.

Xhudistët prej të mërkurës e deri të premten i fituan pesë medalje, prej tyre tri të arta. Një medalje të bronztë e fitoi boksieri Shpejtim Bajoku, ndërsa garat e të tjerave përfunduan kryesisht me rezultate për t’u harruar.

Rezultate të zbehta ka pasur nga e mërkura deri të premten, por ato mbetën në hije të shkëlqimit të xhudistëve.

Tashmë garën e kanë përfunduar shumica e 39 sportistëve pjesëmarrës nga Kosova. Të dielën garuan tre prej tyre, dy atletë e një taekwondist.

Atletja Gresa Bakraçi kishte udhëtuar me shpresa të mëdha, por nga Orani i Algjerisë do të largohet me rezultat jo të pritur. Ajo të dielën mbrëma u rendit vetëm e parafundit në vrapimin 1500 metra. Në garë ishin 11 atlete, ndërsa Bakraçi u rendit e dhjeta. Kishte kohë prej 4:27.76 minuta. E fundit ishte Abir Reffas e Algjerisë me kohë prej 4:28.97 minuta. Ndërkohë e nënta ishte algjeriania tjetër Amina Bettiche. Ajo kishte kohë prej 4:18.55 minuta. Pra, gati dhjetë sekonda ishte më e shpejtë se Bakraçi.

Edhe Bakraçi, vetëm e parafundit në Lojërat Mesdhetare Sport Bakraçi, vetëm e parafundit në Lojërat Mesdhetare

Bakraçi, aktualisht atletja më e mirë në vend, nuk e ka arritur as rekordin personal. Rezultatin më të mirë, që e ka arritur këtë vit, e ka 4:20.56 minuta. Vrapimin në 1500 metra e fitoi francezja Aurore Fleury me kohë prej 4:13.03 minuta. Federica del Buono ishte e dyta me kohë 4:13.09 minuta. Ndërkohë medalja e bronztë i takon italianes tjetër Ludovica Cavalli. Koha e saj ishte 4:13.37 minuta.

Gresa Bakraçi këtë vit ka vendosur disa rekorde dhe pritjet i kishte të mëdha për garën në Lojëra Mesdhetare. Ajo, megjithatë, ishte larg përfshirjes në luftë për medalje.

Edhe më keq kaloi atleti Alaudin Suma. Ai ka mbetur i fundit në hedhje të diskut. Sumapo ashtu garoi të dielën mbrëma dhe kishte hedhje larg prej atyre që kërkohen për të shmangur pozitat e fundit.

Në hedhje të diskut garuan 14 garues.

Suma hedhjen më të mirë e kishte 43.90 metra. Larg prej rekordit të tij të evidentuar, që është 48.90 metra. Këtë vit rezultati i tij më i mirë ishte 47.59 metra.

Suma fillimisht realizoi hedhje prej 43.90 metrash. Në tentimin e dytë disku shkoi 43.20 metra, ndërsa hedhja e tretë ishte edhe më e zbehtë, 42.13 metra. I parafundit (13) ishte maltezi Bradley Mifsud. Ai kishte rezultat prej 48.25 metrash. Ndërkohë i 12-ti ishte spanjolli Diego Casa Garrido me hedhjen më të mirë 54.80 metra.

20 metra më shumë se Suma diskun e ka hedhur qiprioti Apostolos Parellis. Ai fitoi të artën me rezultat prej 63.59 metra. Martin Markoviq i Kroacisë fitoi medaljen e argjendtë me rezultat prej 62.49 metra, ndërsa e bronzta i takoi malazezit Danijel Furtula me hedhjen më të mirë prej 61.74 metrash.

Paradite të dielën garoi taekwondisti Arbër Azemi. Ai në luftën e parë u mposht thellë 18:8 nga greku Konstantinos Chamalidis.

Edhe Rekord medaljesh por më pak të arta për Kosovën Sport Rekord medaljesh por më pak të arta për Kosovën

Të shtunën, notarja Vanesa Beka garoi në 100 metra bretkosë. Ishte e fundit (6) në baterinë e parë me kohë prej 1:20.87 minuta. Për 12.03 sekonda ishte më e ngadaltë se fituesja e baterisë. Ajo ishte e fundit edhe prej të gjitha notareve që u paraqitën në kualifikime. Ishin 13 gjithsej.

Rezultate të ngjashme priten deri në fund të Lojërave Mesdhetare. Natyrisht, falë medaljeve të xhudos dhe boksierit Bajoku, ngjarja do të vlerësohet e suksesshme për Kosovën.