Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

La Liga: Pesë lojtarë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus

Pesë lojtarë në dy rangjet e para të futbollit të Spanjës kanë dal pozitiv me koronavirus që kur klubet kanë nisur të testojnë lojtarët dhe anëtarët e stafit nga java e kaluara, ka thënë La Liga në një komunikatë të dielën. Të pesë janë pa simptome.

La Liga ka treguar se lojtarët janë izoluar në shtëpi ku do të vazhdojnë stërvitjet individuale para se të testohen sërish në ditët e ardhshme, për të parë nëse mund të kthehen në fusha stërvitore të klubeve.

“Një nga synimet e këtyre testeve ka qenë të zbulojë rastet pa simptoma. Në këtë mënyrë, ne mund të garantojmë sigurinë e të gjithëve ndërsa i kthehemi punës dhe i përmbahemi rregullave për sigurinë në vendin e punës. La Liga ka paralajmëruar gjithë pjesëmarrësit që t’i përmbahen rregullave në mënyrë që të mbetet i ulët numri i të infektuarve”, është thënë nga La Liga.

Në komunikatë është thënë se nuk do të zbulohet emri i të infektuarve, për shkak të ligjit të mbrojtjes së privacisë.

Portieri i Real Sociedadit, Alex Remiro, të shtunën ka treguar se është një nga lojtarët që ka rezultuar pozitiv.

Janë edhe 160 lojtarë imunë.

Shumica e klubeve, përfshirë edhe kampionia Barcelona i janë kthyer stërvitjes individuale, si pjesë e fazës së dytë në protokollin prej katër fazave të La Ligas për vazhdimin e garave që janë pezulluar nga marsi shkaku i pandemisë.

Real Madridi do t’i kthehet stërvitjeve për herë të parë në dy muaj të hënën, ndërsa La Liga ka thënë se shpreson që të rifillojnë ndeshjet pa shikues në qershor. Data e rifillimit pritet të jetë 12 qershori.