Petra Kvitova ka fituar 27 turne të tenisit gjatë karrierës, por triumfi në turneun ekzibicional në Çeki javën e kaluar i ofroi asaj një përvojë krejt tjetër. Ajo thotë se ishte shumë e çuditshme të luhej pa shikues, bën të ditur agjencia Reuters.
Turneu në Pragë ka qenë një nga shumë ngjarje të pakta në tenisin profesionist që janë organizuar që nga fillimi i marsit, kur shumë shtete filluan të mbylleshin për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Ndonëse për fituesin e dyfishtë të Grand Slamit, Wimbledon, ishte e veçantë të fitonte trofeun në klubin ku është zhvilluar, prapë ndjenja nuk ishte e njëjtë për të.
“Jam e lumtur që kam fituar, por ishte turne më ndryshe”, ka thënë 30-vjeçarja, që kishte veshur fustanin të cilin e kishte përgatitur për Grand Slamin “French Open” që është shtyrë. “Ishte shumë çuditshëm të luaja pa praninë e tifozëve. Kemi bërë lojë të jashtëzakonshme, por asnjëri nuk ka duartrokitur, kështu që ishte e vështirë. Por, në anën tjetër ishte shumë mirë të kemi sërish ndjenjën e lojës”.
Kvitova e ka pasur të vështirë mentalisht që të përgatitet për turneun. Meçi i parë për të ishte më i vështiri. Por, vetëm pasi arriti në gjysmëfinale ajo ishte në gjendje të adaptohej. Kvitova thotë se pasi nuk ka ndonjë zgjedhje tjetër, tenistët duhet të mësohen me këtë realitet.
“Për mua ishte shumë ndryshe që nuk mund të kisha peshqir mes pikëve. Duhej kohë për të shkuar drejt peshqirëve, kështu që e lash atë në bankinë”, ka thënë tenistja. “Për mua natyrisht se ishte pak e pakëndshme që mbledhësit e topave nuk mund ta mbanin peshqirin për mua. Dhe nuk e dija se nuk guxonim as të përshëndeteshim pas përballjes”.
Rangjet elitare të tenisit profesionist, ato ATP dhe WTA, janë pezulluar deri në fund të korrikut. Grand Slami Wimbledon nuk do të organizohet këtë vit, që është hera e parë që nuk do të organizohet që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërkohë “French Open” është shtyrë për shtator. Fati i “US Open” do të vendoset këtë muaj.
Derisa Kvitova preferon që të luhet në prani të tifozëve, ajo thotë se sporti duhet të kthehet.
“Është e vështirë të mendosh të luash në Grand Slam pa shikues. Është vërtetë e vështirë pasi tifozët janë shumë të rëndësishëm për lojtarët. Nëse luajmë Grand Slame pa shikues do të jetë shumë e trishtë”, ka thënë Kvitova. “Por, prapë është më mirë të luajmë”.
Kvitova, që aktualisht është në vend të 12-të në renditje botërore, ka thënë se nuk do të shijojë qëndrimin në karantinë para një turneu.
“Do të jetë e vështirë të qëndrosh në karantinë në një shtet të huaj, në dhomë hoteli për dy javë”, ka thënë ajo.