Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar festën e futbollistit shqiptar të Zvicrës, Granit Xhaka, pas fitores ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Pas fitores 3:2, Xhaka pati festuar me fanellën e futbollistit tjetër shqiptar te Zvicra, Ardon Jashari. Festa pati bërë bujë pasi u ndërlidh me mbiemrin e komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Në një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, Kurti ka thënë se “deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme”.
“Dhe nëse dikush e nderon identitetin e Adem Jasharit, kjo po ashtu është mirë për mua”, ka thënë Kurti.
Ai ka falënderuar Xhakën dhe Xherdan Shaqirin për frymëzim të talenteve të reja për të luajtur futboll. Ka thënë se ndikimi i tyre është i pranishëm edhe te talentet në Kosovë.
Në fitoren ndaj Serbisë, Shaqiri pati realizuar golin e parë, ndërsa Xhaka ishte ndër më të mirët në fushë. Ndeshja është përcjellë me tensione dhe në disa raste Xhaka ka qenë cak i sulmeve nga futbollistët serbë. Ndeshja e 2022-s pati pasuar përballjen e famshme të vitit 2018 në Kampionatin Botëror të Rusisë, kur Xhaka dhe Shaqiri patën realizuar për fitoren e Zvicrës përballë Serbisë dhe patën festuar me shqiponjë.