Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kuqi, luftëtari që po synon MMA-në

Të shtunën e shkuar, Arbias Kuqi fitoi edhe meçin e radhës në MMA si gjysmë-profesionist. Brenda 30-të, sekondave Kuqi e “rehatoi” kundërshtarin e tij, me nokaut.

Me këtë triumf, ai njëherësh ka fituar të drejtën për t'u futur në kafaz edhe si profesionist.

Megjithatë, atij i duhet të pres akoma, në mënyrë që të ketë ndonjë kundërshtar në kategorinë deri 77 kilogramë. Kuqi jeton në Stuttgart të Gjermanisë dhe ka disa vite që i është përkushtuar arteve marciale.

Ai si amator ka qenë kampion i padiskutueshëm jo vetëm në MMA, por edhe Brazilian jiu-jitsu. Në këtë të fundit, ka brezin vjollcë kurse pritet që pas gjashtë vjetësh të marrë dhe brezin ngjyrë kafe. Në Brazilian jiu-jitsu, ai është kampion verior dhe jugor i Gjermanisë kurse në MMA është kampion perëndimor sa i përket amatorizmit.

Si gjysmë-profesionist nuk e ka asnjë humbje dhe pas triumfit të fundit po e pret rastin për të debutuar në profesionalizëm, pasi është plotësisht i gatshëm.

“Jo vitin tjetër, por në momentin që del ndonjë kundërshtar në kategorinë time, do të debutoj si profesionist. Jam plotësisht i gatshëm, pasi kam përvojë të mirë si amator dhe gjysmë-profesionist", është shprehur Kuqi për Koha.net. “Do të ishte realizim i ëndrrës debutimi si profesionist, pasi prej kur kam filluar me artet marciale kam pasur këtë synim”.