Klubi i futbollisteve Mitrovica ka akuzuar rëndë klubin EP Hajvalia të hënën, dy ditë para finales së Kupës së Kosovës. EP Hajvalia ka mohuar akuzat e ardhura nga klubi mitrovicas, por situata duket shumë e tensionuar në prag të ndeshjes së madhe.
Finalja e Kupës së Kosovës në konkurrencë të futbollisteve do të luhet të mërkurën nga ora 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Te Mitrovica kanë drojë se loja brenda fushës nuk do të ketë shumë rëndësi, përkatësisht se ajo nuk do të jetë vendimtare.
“Jemi shumë të motivuar dhe të përqendruar për të zhvilluar një lojë të bukur dhe korrekte me futboll cilësor, e cila na ndihmon në arritjen e qëllimeve tona. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë përballje e lehtë, duke pasur parasysh forcën e kundërshtarit jo shumë në fushë, sa e ka jashtë fushe, i cili gjatë këtij edicioni ka treguar atë ‘fuqinë’ e vet në mënyra josportive. Po mundohen të na godasin pabesisht, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, do të luftojmë në fushë t’i arrijmë sukseset tona. Kurse për lojërat josportive dhe të ndëshkueshme sipas ligjit dhe rregullave të futbollit të kundërshtarit do të merren organet përgjegjëse”, shkruan në njërin prej dy postimeve të KFF Mitrovicës. “Ne besojmë në forcën, sinqeritetin dhe korrektësinë e ekipit tonë dhe do të arrijmë qëllimin që kemi përpara duke dalë fitimtar në çdo betejë që kemi përpara”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i klubit, EP Hajvalia, që ka mohuar pretendimet e Mitrovicës për kurdisje të ndeshjes. Në klubin e Hajvalisë i kanë cilësuar shpifje deklarimet e klubit Mitrovica.
“Ky veprim nga ana e skuadrës kundërshtare në prag të finales së madhe të Kupës së Kosovës është vetëm shpifje nga ana e saj. Skuadra jonë asnjëherë nuk ka bërë kurdisje të ndeshjeve dhe kjo gjë është konfirmuar në rezultatet tona”, shkruan në njoftimin e EP Hajvalia.
Madje është paralajmëruar edhe padi nga Hajvalia.
“EP Hajvalia do të përgatisë një padi në drejtim të skuadrës për shpifje dhe prishje të imazhit të presidentit të skuadrës sonë, Xhavit Pacolli. Ky veprim është i ulët nga ana e tyre, sidomos në kohën kur në jemi duke bërë përgatitjet për finalen e madhe që do të zhvillohet të mërkurën”.
Kryetari i KFF Mitrovica, Hajrullah Haxhiu ka shkuar edh më tej. Ai ka treguar se kanë denoncuar tentim-kurdisjen e ndeshjes së xhiros së 12-të të Superligës së futbollisteve në mes të EP Hajvalisë dhe Mitrovicës. Kjo ndeshje e 4 marsit pati përfunduar 1:1.
Kryetari i klubit mitrovicas ka thënë se kanë nisur hetime pas denoncimit në polici, saktësisht në Krimet Ekonomike. Denoncimi u bë nga një lojtare, emrin e së cilës nuk ka dashur ta zbulojë.
“Rasti është duke u hetuar, pasi në fillim të muajit një lojtare bashkë me drejtorin e klubit e kanë denoncuar tentimin për kurdisje të ndeshjes të xhiros së 12-të. Një lojtares sonë i është kërkuar të implikohet në kurdisje të ndeshjes. I janë ofruar edhe para, por ajo nuk ka pranuar dhe menjëherë na ka lajmëruar. Ajo bashkë me drejtorin e kanë denoncuar rastin në polici. Ka fakte për këtë”, ka thënë Haxhiu të hënën mbrëma për KOHËN.
EP Hajvalia janë dy skuadrat e vetme të forta në futbollin e femrave në vend. Janë në garë edhe për titull të kampionit.
Vjet Hajvalia e fitoi titullin, derisa Mitrovicës i takoi Kupa. Akuzat e ndërsjella nuk kanë munguar as në të kaluarën.