KFF Mitrovica ka humbur garën për titull të kampionit të Kosovës në futboll nga KFF EP Com Hajvalia. Mitrovica për disa vjet ka dominuar futbollin e femrave në vend dhe katër herë rresht është paraqitur në Ligën e Kampionëve. Kjo e drejtë aktualisht nuk i takon.
Në bazë të suksesit në kampionat, por edhe në bazë të vendimeve në fuqi të Federatës së Futbollit të Kosovës, e drejta e paraqitjes në Ligën e Kampionëve i takon klubit nga Hajvalia.
Por Mitrovica po e konteston licencimin e klubit EP Com Hajvalia. Te Mitrovica pretendojnë se Hajvalia nuk është licencuar në bazë të rregulloreve dhe kështu e drejta e paraqitjes në Champions i takon Mitrovicës.
Për pretendimet e Mitrovicës, KOHA i është drejtuar me pyetje FFK-së. Por nuk ka marrë ende përgjigje.
Përmes një postimi në Facebook, KFF Mitrovica ka lëshuar akuza të rënda.
“Komisioni i Shkallës së Dytë për Licencimin e klubeve për garat ndërkombëtare sot ka bërë shkelje të Statutit/Rregullores së FFK-së dhe Rregullores së UEFA-s, si dhe të kritereve për licencim të klubeve, duke i bërë një licencim KFF EP Com Hajvalia jashtë çdo afati, kriteri dhe norme për licencim, vetëm pse ata kanë njerëzit e tyre në FFK”, shkruan në reagimin e Mitrovicës.
Mitrovica pretendon se është klubi i vetëm i futbollit të femrave që është licencuar në afatin e paraparë. Afati ishte i hapur prej 10 shkurtit deri më 30 prill.
“Këtë vit KFF Mitrovica është nënkampion në futbollin e femrave, ndërsa kampione është shpallur KFF EP Com nga Hajvalia, të cilit klub i është refuzuar licencimi për garat evropiane në afatin e parë të rregullt. Sipas rregullores kur kampioni nuk licencohet, atëherë në garat evropiane shkon vendi i dytë e më poshtë, pra klubi i licencuar”, thuhet tutje në reagimin e Mitrovicës.
Sipas Mitrovicës, klubit nga Hajvalia i është refuzuar licencimi në afatin e rregullt pasi nuk ka dorëzuar asnjë dokument të kërkuar dhe nuk ka plotësuar kriteret sportive, financiare dhe administrative, të domosdoshme për të marrë licencën.
Mitrovicasit kanë përmendur arsye të tjera që, sipas tyre, është dashur t’i kushtojnë me licencë klubit kampion.
“Ne asnjëherë nuk ia kemi kontestuar titullin klubit EP Com, por ky klub është formuar para 10 muajve dhe nuk ka plotësuar asnjë kriter për licencim. Duke qenë klubi i vetëm i licencuar sipas kritereve të kërkuara, e drejta për garat evropiane i takon klubit Mitrovica. Pas këtij vendimi skandaloz do të bëjmë ankesë në instancat vendore dhe ndërkombëtare. Të drejtën e pjesëmarrjes në garat e UEFA-s do ta kërkojmë në rrugë ligjore në UEFA, arbitrazh e deri në CAS”, thuhet në reagimin e KFF Mitrovica që ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj atyre që pretendon se kanë shkelur rregulloret.
Më herët të martën, KFF EP Com ka njoftuar për marrjen e licencës për garat e UEFA-s për edicionin 2022/2023.
“Jemi klubi i vetëm i Ligës së Parë të Futbollit të Femrave, i cili do të garojmë në UEFA Champions League. Falënderojmë presidentin Chavi Pacolli dhe drejtorin Meriton Pacolli për të gjithë punën e bërë për arritje tona”, thuhet në njoftimin e KFF EP Com.
Në vendimin e prezantuar nga EP Com bëhet e ditur se shkalla e parë nuk e ka licencuar këtë klub. Por klubi nga Hajvalia ka paraqitur ankesë në shkallën e dytë dhe po ashtu dokumentacion.
“Duke e shqyrtuar këtë dokumentacion dhe në bazë të Rregullores, Komisioni i Shkallës së Dytë ka vendosur që klubi përmbush kriteret minimale të Rregullores së UEFA-s për Licencimin e Klubeve të femrave për pjesëmarrje në garat e UEFA-s për edicionin 2022/23”, thuhet në vendim.
Këtë komision e udhëheq Rexhep Kuçi.
Edhe sa i takon licencimit të klubeve të futbollistëve ka pasur akuza se organet e FFK-së nuk u janë përmbajtur në tërësi kritereve.