Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kupa e Afrikës po vlerësohet “pako futbolli” e mbushur me emocione, rikthime e surpriza

Tifozët e futbollit në Kupën e Afrikës janë shpërblyer me ndeshje emocionuese dhe shumë dramatike në një pako të veçantë të këtij sporti, e cila deri me tani ka ofruar emocione, rikthime dhe surpriza. Tifozët po kontribuojnë në spektaklin në tribuna me vallëzime të vazhdueshme dhe kostume tërheqëse, ndërsa brohorasin për ekipet e tyre në edicionin e 34-t të turneut kontinental që mbahet çdo dy vjet.

Skenat në gjashtë stadiumet e pesë qyteteve në Bregun e Fildishtë, ku po mbahet Kupa e Afrikës, janë tejet të veçanta. Madje edhe reporterët e huaj janë befasuar me emocionet në fushë por edhe në tribuna gjatë ndeshjeve.

Përfaqësuesja e Marokut – favorite për shumë njerëz pas arritjes deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës në Katar - u eliminua të martën mbrëma nga Afrika e Jugut, e cila triumfoi me shifrat 2:0. Maroku u bë vetëm ekipi i fundit i madh që u eliminua nga ky turne, ndërkohë që ekipet autsajdere si Kepi i Gjelbër kanë lulëzuar në Bregun e Fildishtë. Si kampioni në fuqi, Senegali, ashtu edhe kampioni i shtatëfishtë, Egjipti, u eliminuan pas penalltive, ndërsa ringjallja e pamundur e Bregut të Fildishtë nga një kolaps në fazën e grupeve ka rikthyer edhe shpresat e vendit për një titull të tretë.

Mesfushori Franck Kessie shënoi penalltinë fituese për Bregun e Fildishtë që eliminoi Senegalin të hënën dhe festa e shfrenuar po vazhdon ende nëpër rrugët e këtij vendi nga tifozët që po duken tejet optimistë. Portieri i Kongos, Lionel Mpasi shënoi nga pika e bardhë pasi homologu i tij nga Egjipti, Mohamed Abou Gabal dështoi në gjuajtjen e penalltisë. Mpasi i dërgoi “Leopardët” në çerekfinale në llogari të “Faraonëve”.

Federata egjiptiane e futbollit sakrifikoi një lopë para ndeshjes, por kjo nuk e ndryshoi fatin e skuadrës pasi Egjipti – i cili humbi yllin Mohamed Salah shkaku i dëmtimit - nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje në turne. Ish-kampionët, Kameruni, Gana dhe Algjeria, janë eliminuar gjithashtu.

Portieri i Kamerunit, Andre Onana, luajti vetëm një ndeshje dhe nuk bëri asnjë pritje, pavarësisht se nxitoi nga Manchester United për të qenë i gatshëm për ndeshjen hapëse në Kupën e Afrikës. Gana dukej e gatshme për të arritur në fazën eliminatore, por pësoi dy gola në kohën shtesë për të përfunduar grupin me vetëm dy pikë.

Trajnerët e kanë pasur misionin më të vështirë në këtë Kupë të Afrikës. Trajneri i Ganës, Chris Hughton dhe trajneri i Bregut të Fildishtë, Jean-Louis Gasset, u shkarkuan. Madje Gasset u shkarkua në të njëjtën ditë që Bregu i Fildishtë siguroi vendin në 1/8 e finales. Temperaturat u ndezën në ndeshjen e Marokut me Kongon, e cila përfundoi në një përleshje të madhe ku u përfshinë lojtarët dhe stafet e trajnerëve. Por disponimi i përgjithshëm ka qenë jashtëzakonisht pozitiv me tifozët entuziastë që kontribuojnë në një festë pa pushim në tribuna dhe në rrugë.

Edhe Bregu i Fildishtë fiton Kupën e Afrikës për herë të tretë Sport Bregu i Fildishtë fiton Kupën e Afrikës për herë të tretë

Mama Joy ka qenë një mbështetëse e shquar e Afrikës së Jugut, tifozët e Senegalit mbështetën me zë të lartë futbollistët e tyre dhe ata të Bregut të Fildishtë nuk kanë pushuar së festuari që kur Kessie mbajti gjallë shpresat e ekipit nikoqir.

Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Afrikës fillojnë të premten. Në çerekfinale do të përballen: Nigeria – Angola, Kongo – Guineja, Mali – Bregu i Fildishtë dhe Kepi i Gjelbër – Afrika e Jugut.

Të tjera emocione dhe momente dramatike i presin tifozët e futbollit.