Roma e ka fituar ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Konferencës, që është niveli i tretë i garave evropiane për klube të futbollit.
Të enjten mbrëma, skuadra italiane fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Vitesses holandeze. Golin e vetëm për Romën e shënoi Sergio Oliveira. Ai realizoi në minutat shtesë të pjesës së parë. Oliveira në minutën e 79-të e la fushën pas kartonit të dytë të verdhë.
Në qendër të mbrojtjes te Roma u paraqit reprezentuesi i Shqipërisë, Marash Kumbulla. Ndërkohë Toni Domgjoni startoi te Vitesse, kurse u zëvendësua në minutën e 83-të. Ndeshja e kthimit është pas një jave në “Olimpico”.
Në ndeshjet tjera të orës 18:45, Feyenoordi ka shkatërruar Partizanin në Beograd duke e mposhtur 5:2. PAOK-u fitoi 1:0 ndaj Gentit, ndërsa Slavia Praga e mposhti LASK-un austriak me shifrat 4:1.