Sport

Kthimi triumfal i Shaqirit në skenën ku i bëri krenarë të gjithë shqiptarët

Një paraqitje e jashtëzakonshme e Xherdan Shaqirit në ndeshjen jubilare të tij, ndihmoi Zvicrën të arrijë sukses të madh. Zvicra të hënën mbrëma fitoi 4:0 ndaj Bullgarisë dhe siguroi kualifikimin në Botërorin “Katari 2022”. U kualifikua në “llogari” të kampiones evropiane, Italisë, që mbeti e dyta në grup dhe paraqitjen në Botëror duhet ta kërkojë përmes plejofit.

Plejof nuk ka për Zvicrën, që në ndeshjet e fundit kapiten e kishte yllin më të madh të saj, Xherdan Shaqirin. 30-vjeçari të hënën e luajti ndeshjen e 100-të për Zvicrën. Vetëm katër lojtarë kanë më shumë ndeshje se Shaqiri për Zvicrën, ndërsa është çështje e kohës para se Xherdani të dalë në krye të listës.

Shaqiri po e mban shiritin e kapitenit në mungesë të Granit Xhakës. Por futbollisti ofenziv i Lyonit po shfaqet kapiten i vërtetë. Ndaj Bullgarisë në ndeshjen vendimtare, luftoi, u angazhua maksimalisht dhe bëri dallimin me pasimet vendimtare. Asistoi për 1:0, goditi shtyllën, asistoi në dy gola të tjerë, që u anuluan nga VAR-i dhe në fund asistoi për golin e katërt. Po ashtu ishte pjesë e aksionit të golit të tretë.

Zviceranët e kanë vlerësuar më të mirin e ndeshjes. Gazeta zvicerane “Blick” ia ka dhënë notën maksimale – 6.

“Nota 6: në ndeshjen e 100-të ndërkombëtare dha asistim perfekt për 1:0. Goditi shtyllën, paraqitje e jashtëzakonshme në pjesën e dytë”, ka shkruar mediumi i fuqishëm zviceran.

27 për qind e 10 mijë votuesve në sondazhin e “Blick” e vlerësuan Shaqirin më të mirin e ndeshjes.

“Si kapiten ai e udhëhoqi përfaqësuesen në fushë mbrëmjen e kaluar. Si kapiten, Shaqiri udhëheq, diskuton dhe lufton në fushë. Ka bërë dy asistime. Dhe po ashtu është nderuar nga lexuesit e ‘Blick’ për performancën në ndeshjen e 100-të. 27 për qind e 10 mijë votuesve ishin për Shaqirin si ‘Lojtar të Ndeshjes’”.

Botërori nuk është skenë e re për Shaqirin, që në 100 ndeshje ka realizuar 26 gola për Zvicrën. Ai kishte debutuar për helvetikët më 3 mars të vitit 2010. Menjëherë atë verë u mor nga Ottmar Hitzfeld në Botëror, ndonëse ishte vetëm 18-vjeçar. Luajti ndaj Hondurasit.

Në Botërorin 2014, tashmë ishte yll te Zvicra. Zvicra u ndal në një të tetën e finales nga Argjentina, pas një ndeshje dramatike. Mbahet mend “hat-tricku” i Shaqirit në ndeshjen ndaj Hondurasit. Luajti në Evropianin 2016, para se të kthehej në Botëror në vitin 2018. Pikërisht në këtë Botëror, të mbajtur në Rusi, bëri të gjithë shqiptarët krenarë.

Në ndeshjen e dytë në grup, Zvicra u përball me Serbinë, më 22 qershor në Kaliningrad. Serbët kaluan herët në epërsi, ndërsa Granit Xhaka realizoi për 1:1 në minutën e 52-të. Fare në fund, në minutën e 90, Shaqiri shënoi golin që do të mbahet mend gjatë. Mori top në gjysmë të fushës, shpërtheu deri në zonë dhe goditi saktë. Dërgoi topin në rrjetë. Zvicra me golin e tij fitoi 2:1. Kishte festë të madhe në Zvicër, por edhe më të madhe në të gjitha qytetet shqiptare. Festa me shqiponjë u kushtoi me një gjobë Shaqirit e Xhakës, por gëzimi dhe krenaria që ata sollën ishte dhe mbetet e jashtëzakonshme.

Shaqiri u paraqit me sukses edhe në Euro 2020 dhe tani do të jetë lider i Zvicrës në Botërorin “Katari 2022”, pas një viti. Janë gjitha kushtet që Shaqiri të ketë edhe një ngjarje tjetër të madhe të suksesshme. Kalimi te Lyoni sikur e ka ngjallur, ndërsa tashmë e ka edhe përvojën e duhur. 100 ndeshje për Zvicrën ia japin përvojën e duhur ndërkombëtare. Te Zvicra po vjen një gjeneratë e re, që përfshinë edhe Andi Zeqirin e Kastriot Imerin. Por Shaqiri e Xhaka pritet të jenë bartës, të paktën edhe në Katar.

“Kualifikimi në Botëror ishte synimi ynë. Më duhet ta komplimentoj ekipin për atë që ka bërë në këtë kampanjë kualifikuese. Duhet ta falënderojmë edhe selektorin Murat Yakin. Nuk ishte e lehtë për të që të ecë gjurmëve të Vladimir Petkoviqit. Shumë kanë munguar. Besoj që ata kanë dashur të jenë këtu sonte. I përshëndes të gjithë, Granitin, Breel Embolon... I presim që të shkojmë në Katar të gjithë së bashku”, ka thënë Shaqiri.

Zvicra e la prapa Italinë dhe gjasat e saj për një Botëror të suksesshëm duken të mëdha, ndonëse ka edhe një vit. Çerekfinalja mund të jetë synim. Apo edhe gjysmëfinalja. Me Shaqirin në formë çdo gjë është e mundur. Dhe momente të tjera krenarie për shqiptarët mund të vijnë nga Katari, ndonëse atje mungojnë Kosova e Shqipëria.