Sport

Kthimi në Kosovë i lojtarëve që ishin larguar me shumë shpresë prej saj

Bujë të madhe pati bërë goli i Leotrim Kryeziut për Luganon e Zvicrës në ndeshjen miqësore të 15 korrikut të vitit të kaluar kundër klubit të madh të Italisë, Interit. Lugano e kishte humbur ndeshjen miqësore me rezultatin 2:1.

Por Kryeziu kishte shpresa të mëdha se do të kishte hapësirë në klubin elitar të Zvicrës pas atij shënimi. Pritjet e tij ishin që shpejt ta merrte edhe ftesën nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, transmeton KOHA.

Por Kryeziu nuk shpërtheu te Lugano. Luajti vetëm shtatë minuta në elitën zvicerane,dhe atë në edicionin 2018/2019. Ai më pas u huazua te Chiasso, derisa nga e premtja (sot) do të jetë për një edicion i huazuar te skuadra e Prishtinës.

Kryeziu nuk është futbollisti i vetëm që është kthyer sërish në futbollin kosovar, pas aventurës jo shumë të suksesshme në vende të tjera.

Te Prishtina e shohin si ndihmë të madhe ardhjen e Kryeziut. Prezantimin e tij e kanë bërë me një video të shkurtër 13-sekondëshe, duke e paraqitur golin që Kryeziu ia shënoi Interit.

Kryeziu nuk ka folur derisa në klub kanë thënë se prezantimin me fanellën e Prishtinës do ta bëjnë të premten (sot). Kryeziu me Luganon ka kontratë deri në verën e vitit 2022.

Edhe Festim Alidema është kthyer në Kosovë nga Kroacia. Ai është huazuar për një edicion te Drita nga Slaven Belupo, skuadër me të cilën që kur u transferua luajti vetëm pesë ndeshje. Nga Kroacia në Kosovë është kthyer më herët edhe Mirlind Daku. Fillimisht Daku u huazua nga Osijeku te Kukësi, derisa klubi kroat e ka huazuar edhe te Ballkani i Suharekës. Ai në Osijek nuk ka arritur të lërë gjurmë. Ka kontratë deri në vitin 2022. Deri në vitin 2022 kontratë me Slaven Belupon ka edhe Alidema.

“Drejtori sportiv Valon Zymberi ka njoftuar që parimisht është dakorduar me menaxherin e Festimit e më pas edhe me ekipin kroat që Festimi të jetë bardhekaltër për periudhën njëvjeçare në formë huazimi. Festimi për një vit ishte pjesë e futbollit kroat në ekipin e njohur Slaven Belopo dhe do të jetë një forcë shtesë në mbrojtjen e titullit të kampionit, gjithashtu edhe në garat e Ligës së Evropës, që ekipi do t’i zhvillojë në shtator”, është njoftuar nga klubi Drita.

Sulmuesi Mirlind Daku pret që të mbetet te Ballkani. Ai ka theksuar se janë në pritje nëse Osijeku do ta shesë kartonin e tij te Ballkani.

“Ballkani është në ngritje dhe besoj që do të bëhet më i fortë se Osijeku, sepse në klub janë duke u fokusuar në lojtar të rinj. Jam i bindur se do të bëhet i fortë si Skënderbeu në kohën më të mirë që e ka pasur”, ka thënë Daku.

Në futbollin kosovar është investuar goxha që kur FFK-ja u pranua në UEFA dhe FIFA. Shumë futbollistë janë kthyer nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera. Pagat janë rritur e po ashtu janë duke u paguar dëmshpërblime. Këtë edicion tri skuadra patën rastin të paraqiten në garat evropiane.

Trajneri Faruk Statovci mendon se futbollistët që po vendosin të kthehen në Kosovë, nuk po kanë hapësirë të luajnë në klubet ku transferohen.

“Është shumë e thjeshtë, ai lojtar që ka mundësi të luajë në klub, nuk kthehet. Krejt nuk po kanë mundësi të luajnë dhe po kthehen në Kosovë. Lojtari i mirë, apo ai i cili ka mundësi të luajë në ndonjë shtet tjetër, qëndron atje. Thjesht, ata që nuk janë pjesë e atij ekipi kthehen këtu. Për shembull, pse nuk kthehen Lirim Kastrati, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica”, ka thënë Statovci.