Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kryeziu flet për synimet pasi firmos me Prishtinën

Pasi luajti huazim te Prishtina në edicionin 2020/2021, sulmuesi Leutrim Kryeziu ka firmosur të enjten me kampionen e Kosovës në futboll. Prishtina e ka transferuar Kryeziun nga skuadra zvicerane, Lugano.

Sipas njoftimit, Kryeziu me Prishtinën ka firmosur për tri vjet.

Ai në edicionin e kaluar luajti 36 ndeshje me Prishtinën, ndërsa realizoi nëntë gola e katër asistime.

“Një klub si Prishtina, më i madhi në vend, më dha mundësinë që të vazhdojmë së bashku dhe kjo ofertë nuk është e mundshme të refuzohet. Është nder për mua”, ka thënë Kryeziu për faqen zyrtare të Prishtinës.

“Dua të vazhdoj t’i ndihmoj skuadrës. Ndeshjet e Ligës së Kampionëve më japin motiv shtesë. Është nder për çdo futbollist të paraqitet në këtë garë. Dua të shënoj sa më shumë. Dua të ngjitemi sa më larg në Evropë, ndërsa në Kosovë mos ta diskutojmë më vendin e parë”, thotë 22-vjeçari, që nuk kishte mundur të depërtonte te Lugano.

Ai para transferimit te Lugano ishte te Drita e Gjilanit. Në Zvicër kishte luajtur huazim te Chiasso.