Një muaj pasi u bë publik lajmi për largimin e Gauthier Mankendas nga Prishtina, sulmuesi i krahut është kthyer në ekipin kryeqytetas dhe ka luajtur në dy ndeshjet e fundit të kampiones në fuqi të Kosovës në futboll.
Më 16 gusht, Prishtina nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur largimin e disa futbollistëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Mankenda. Prishtina i falënderoi të gjithë për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës sa ishin pjesë e ekipit dhe u dëshiroi fat dhe suksese në karrierën e mëtejme.
Ky postim i Prishtinës ishte bërë një ditë para ndeshjes me Llapin në kuadër të Superkupës së Kosovës, të cilën e humbi pas vazhdimeve me rezultatin 3:1.
“Klubi i futbollit Prishtina falënderon futbollistët Behar Maliqi, Alban Muçiqi, Gauthier Mankenda, Tun Bardhoku dhe Alban Shillova për profesionalizmin, sjelljen korrekte, sakrificën dhe kontributin e dhënë për ngjyrat e klubit tonë ndër vite. Futbollistët në fjalë dhanë kontribut të pashoq për të nderuar fanellën bardhë e kaltër e me theks të veçantë në rikthimin e titullit kampion pas tetë viteve në Kryeqytet. Kontigjentit të futbollistëve si Pefqeli, Gavazaj, Muça, Maliqi, Muçiqi, Mankenda, Shillova dhe Bardhoku, të cilët me skadimin e kontratave me FC Prishtina kanë zgjedhur destinacione të tjera në karrierë si brenda dhe jashtë vendit, klubi i futbollit Prishtina ju dëshiron shumë fat dhe suksese të mëtutjeshme”, thuhej në njoftimin e Prishtinës.
Megjithatë, një muaj më vonë, saktësisht më 16 shtator, Mankenda luajti te Prishtina. Ai u inkuadrua në pjesëlojën e dytë në derbin kundër Gjilanit që u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe përfundoi pa fitues – 1:1. Ndërsa, të dielën e shkuar, Mankenda luajti gjatë tërë ndeshjes kundër Dukagjinit, të cilën Prishtina e fitoi me rezultatin 3:1. Për Prishtinën kjo ishte fitorja e parë këtë sezon.
Mankenda beson se Prishtina do të vazhdojë me fitore deri në fund të këtij edicioni dhe do ta mbrojë titullin e fituar sezonin e shkuar. Mankenda krahas titullit me fanellën e Prishtinës e ka fituar edhe një Superkupë e dy Kupa të Kosovës. Ai iu bashkua Prishtinës në vitin 2016.
“Nuk kemi pasur start të mirë, por mund ta mbrojmë titullin dhe do ta ndihmojë ekipin si gjithmonë”, ka thënë Mankenda.
Mankenda thotë se është kthyer në ekip, pasi kishte dëshirë dhe tashmë ka firmosur kontratë të vlefshme deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi. Ai është nga Republika Demokratike e Kongos.
“Jam kthyer dhe ishte dëshira ime, sepse ishte më mirë për mua që të luaj në klubin ku isha për vite të tëra dhe e njihja. Tani jam deri në fund të këtij edicioni dhe do të shohim”, është shprehur Mankenda që sezonin e shkuar e ka bartur shiritin e kapitenit.
Ndërkohë, klubi ka konfirmuar largimin e Mankendës para fillimit të këtij edicioni duke shtuar se ai nuk kishte kontratë me Prishtinën. Te Prishtina kanë shtuar se Mankenda kishte ofertë për të vazhduar karrierën në Turqi, por pasi transferimi nuk u realizua nuk kanë hezituar për ta kthyer. Drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli, ka thënë se Mankenda është më se i nevojshëm këtë sezon për ekipin e trajnerit Zekirija Ramadani.
“Mankedës i skadoi kontrata me ne dhe ai shkoi në Turqi ku i kishin premtuar kontratë me një klub të ligës së parë. Megjithatë, pasi ata nuk i dolën në fjalë, Mankenda na njoftoi dhe ne nuk hezituam për ta kthyer në ekip. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Ka firmosur kontratë deri në fund të këtij sezoni dhe pastaj do të shohim si do të shkojnë gjërat”, është shprehur Kërçeli.
Aktualisht Prishtina zë vendin e shtatë në tabelë me pesë pikë të grumbulluara pas po aq ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon në Superligën e Kosovës. Mankenda ishte prej lojtarëve kryesorë te Prishtina për shumë vjet.