Vëmendja pritet të jetë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kryendeshjen Llapi-Drita, e cila hap xhiron e 15 në IPKO Superligën e Kosovës, në futboll.
Llapi në këtë takim hyn pas fitores në udhëtim ndaj Ferizajit, ndërsa Drita ishte befasuar në Gjilan nga Liria.
Në ndeshjen e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, e cila u zhvillua në Gjilan, llapjanët kishin mposhtur kampionen 2:1, me golat e Hajdarit dhe Alidemës, transmeton KTV.
Drita ka bilanc më të mirë se Llapi, në pesë duelet e fundit, duke shënuar tri fitore dhe duke pësuar dy humbje. Ky duel luhet të shtunën nga ora 13:30, ndërsa të shtunën në Prizren luhet edhe ndeshja ndërmjet Lirisë e Flamurtarit.
Ecurinë fantastike prej shtatë fitoreve radhazi, lideri i Superligës, Prishtina, kërkon ta vazhdojë edhe në ndeshjen ndaj Ballkanit, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Edhe
Formacionet zyrtare të ndeshjes Llapi – Prishtina
Mirëpo, Ballkani është kundërshtari më i papërshtatshëm për kryeqytetasit. Në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Suharekë, Ballkani i kishte marrë një pikë ekipit prishtinas, duke luajtur 0:0.
Faqja e klubit bardhekaltër, shkruan se edhe në sezonin 2010-2011, Ballkani, me dy fitore ndaj Prishtinës, ia kishte humbur titullin atyre.
Kjo ndeshje pritet të jetë e veçantë për trajnerin e Ballkanit, Sami Sermaxhaj, që rikthehet në Prishtinë, por kësaj radhe si kundërshtar i “bardhekaltërve”.
Ndeshja Ballkani – Prishtina luhet të dielën nga ora 13:30.
Edhe
Llapi – Drenica, derbi i pjesës së poshtme të tabelës
Po të dielën zhvillohen edhe ndeshjet Gjilani – Drenica dhe Trepça ’89 – KEK-u.
Xhiroja e 15-të e IPKO Superligës mbyllet të hënën me ndeshjen ndërmjet Feronikelit e Ferizajit, që zhvillohet në Drenas, po nga ora 13:30.