Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kryeministri Kurti thotë se përkrahja për sportin është trefishuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë të martën në tryezën e katërt të diskutimit për sport. Diskutimi i katërt me radhë u mbajt në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, ndërsa është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se përkrahja për sportin është rritur ndjeshëm. Ai ka përmendur shumë të arritura.

“Për dy vjet janë zhvilluar mbi 300 aktivitete sportive në Kosovë, kemi pasur pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare. Mbështetjen për sportin krahasuar me vitet 2019 dhe 2020 e kemi rritur mbi 200 për qind. Buxhetin e federatave e gjetëm me 3 milionë euro, e sivjet kemi ndarë mbi 8 milionë euro. Pra, kemi një lloj trefishimi edhe sa i përket mbështetjes për sportin në përgjithësi sa i përket buxhetit për federatat në veçanti”, ka thënë Kurti në fjalimin para drejtuesve të komunitetit sportiv.

Ai ka folur edhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë, në vitin 2030. Vendimi për t’ia dhënë Kosovës të drejtën e organizimit pritet në shtator.

Kryeministri Kurti ka thënë se kjo do të shënonte moment historik.

“Organizimet e ngjarjeve të tilla, përveçqë janë mundësi për ta modernizuar dhe ngritur infrastrukturën fizike publike, si dhe për ta shtuar entuziazmin dhe përkatësinë shtetërore e afirmimin e shtetit, shërbejnë edhe si platformë perfekte qoftë për njohje ndërkombëtare apo edhe për afirmim të statusit ekonomik e politik të rajonit përkatës. Kjo e fundit është në linjë direkte me politikën tonë rajonale dhe atë të Bashkimit Evropian. Çdo investim që duhet të bëhet në kuadër të Lojërave Mesdhetare, duhet të përfundohet në afatin kohor prej 6 vjetësh. Kjo kornizë kohore është avantazh shumë i madh i joni, përkrah planifikimeve ekzistuese që i kemi apo të cilat synojmë që t'i bëjmë më vonë. Ky nuk është një projekt i lehtë për t’u realizuar me sukses, mirëpo kjo nuk duhet të na ndalë në qëllimin tonë të përbashkët për zhvillim të sportit dhe të shtetit në përgjithësi”, ka theksuar Kurti.

Edhe Kurti takohet me përfaqësues të KOK-ut dhe Komunës së Prishtinës, temë Lojërat Mesdhetare Sport Kurti takohet me përfaqësues të KOK-ut dhe Komunës së Prishtinës, temë Lojërat Mesdhetare

Në muajt e fundit kryeministri është parë më shpesh në ngjarjet sportive, sidomos kur kanë luajtur përfaqësueset.

“Muajve të fundit po mundohem në angazhimet politike, që janë shumë stres, më shumë është lojë e nervave sesa lojë e punës, një ndër mënyrat qysh po pushoj në mbrëmje është po shkoj në ndonjë ngjarje sportive dhe t’u them të drejtën jam përpjekur t’ia bëj një lloj shqyrtimi vetvetes, pse kur po dal prej një ndeshjeje që s’po luaj vetë, vetëm po shikoj, po dal shumë i çlodhur. Tash për tash, shpjegimi i vetëm që kam është se me sport, për dallim prej politikës, ka rregulla, e mua më ka marrë malli për rregulla. Në politikë nuk ka shumë rregulla, e kur po shkoj në mbrëmje me Daulinën ose Hajrullaun në këto ndeshje, ku edhe po e mbështes sportin tonë ose ekipe të veçanta, ose përfaqësuesen tonë, aty kur i bie arbitri filikaqës dhe thotë që topi është jashtë vijës, është shumë e qartë që është jashtë vijës. Pra nuk ka dilema, nuk vjen dikush me thanë “jo, po ka qenë brenda”. Të gjithë e pamë, nëse dikush ka dyshime, shikon edhe xhirimin. Me fjalë të tjera, sporti është jo vetëm shëndet dhe dëshmi e aftësive, po në të njëjtën kohë është edhe disiplinë dhe është rregull. E ne po i ndjekim të gjitha rregullat”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, ndër të tjera, në tryezën për sport.