Sport

Riaktualizohet “stadiumi nacional”

Kryeministri Albin Kurti ka premtuar ndërtimin e një stadiumi nacional në kuadër të përgatitjeve për organizimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ideja për një stadium të tillë është shpalosur qysh më 2014 dhe Kurti bëhet kryeministri i pestë që e premton një gjë të tillë.

Shefi i ekzekutivit në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën është zotuar se Kosova do t’i përmbushë kërkesat për organizimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”.

Për ta rregulluar infrastrukturën, Kosova pritet t’i investojë mbi 250 milionë euro.

“Numri total i objekteve sportive, të cilat përfshihen në konceptin fillestar të këtij projekti është 24. Katër ndërtime të reja, të cilat përfshihen janë stadiumi nacional, kompleksi i pishinave olimpike, kompleksi i tenisit dhe poligoni i shenjëtarisë. Pesë investime infrastrukturore të përkohshme dhe pesë projekte të tjera të cilat janë në ndërtim apo përfundim e sipër, në mesin e të cilëve edhe stadiumi 'Adem Jashari' në Mitrovicë dhe stadiumi i qytetit të Gjilanit”, ka thënë Kurti.

Një prej shumë kushteve që Kosova duhet të plotësojë është edhe një stadium me mbi 20 mijë ulëse. Kapaciteti prej 13 mijë ulëseve në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk mjafton për t’u mbajtur ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare, organizim që Prishtina e fitoi ditë më parë.

Kurti nuk ka treguar se ku do të ngrihet stadiumi gjigant.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, këtë nuk e zbuloi as zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

“Sa i përket lokacionit, projektit, përgjigjet e kësaj çështjeje do të na kthejë studimi i fizibilitetit, analizat të cilat do të bëhen e të cilat do të na tregojnë se ku është vendi ideal për ndërtimin e këtij stadiumi”

Kur u premtua ndërtimi i stadiumit më 2014, në kohën sa Hashim Thaçi ishte kryeministër, u vendos që ai të ndërtohej në Bërnicë të Prishtinës. Më pas u vendos për Korroticën e Drenasit.

Për të u shpall edhe fituesi i projektit. Një kompani turke i mori 1 milion e 440 mijë euro për projektin, si dhe për kryerjen e studimit të fizibilitetit.

Por ministri Hajrullah Çeku, kohë më parë tha se Ministria nuk e ka studimin e fizibilitetit dhe se çështjen e ka dërguar në prokurori.

“Kosova ka pasur dhe ka nevojë për një stadium nacional, andaj në këtë platformë gjashtëvjeçare, të cilën duhet të mobilizohemi maksimalisht që të sigurohemi që në vitin 2030 të jetë i gatshëm që të mirëpresë sportistët e 26 shteteve anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Ndërtimi e ka një kosto, por kostoja e menaxhimit dhe mirëmbajtjes është ajo që do të na definojë edhe lokacionin. Do të shohim cilave komunitete do t'u shërbejë ky stadium, sa do të ketë shfrytëzim ky stadium në të ardhmen në mënyrë që të sigurojmë edhe një qëndrueshmëri financiare të stadiumit e jo të ndërtojmë një objekt në mes të shtetit e pastaj pas pesë apo gjashtë vjetësh të demolohet për shkak të mosshfrytëzimit dhe mospërdorimit të stadiumit”, ka thënë Osmani.