Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës përballë Llapit. Por mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi, ka thënë se avantazhi i arritur në “Fadil Vokrrri” në fillim të këtij muaji nuk ofron komoditet për ndeshjen e kthimit në “Zahir Pajaziti”. Prishtina fitoi 2:1, kurse ndeshja e kthimit luhet të mërkurën në Podujevë nga ora 14:00.
“E kemi një avantazh, por nuk duhet të jemi komod, sepse është ndeshje shumë e fortë dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm të mos bëjmë gabime dhe në fund të kalojmë në finale të Kupës”, ka thënë Krasniqi të martën për KOHËN.
Prishtina e Llapi edhe në edicionin e kaluar ishin përballur në këtë fazë të garës së Kupës. Llapi pati eliminuar Prishtinën për ta fituar më pas Kupën për herë të parë në histori të klubit. Prishtina është në seri të mirë të rezultateve. Ka arritur katër fitore dhe ka pësuar një disfatë në pesë ndeshjet e fundit.
“Mendoj se kemi filluar ta realizojmë lojën tonë në fushë. Atmosfera është e mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e mirë, pasi janë të gjitha kushtet për të qenë një ndeshje e mirë. Ne do ta japim maksimumin për të arritur në finale të Kupës”, ka thënë Krasniqi.