Tahir Batatina ka thënë se është me plot meritë në finale të Kupës së Kosovës me skuadrën e Llapit.
Llapi të mërkurën mposhti Prishtinën 2:1 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe shkoi në finale.
Për të arritur deri në finale të Kupës, Llapi gjatë rrugës e eliminoi edhe Gjilanin, një tjetër skuadër të fortë të futbollit kosovar. Fitoi ndaj Kikës 2:1 në rrethin e parë të garës, më pas mposhti Ferizajn si mysafir 2:0.
“Mendoj se Llapi është me meritë në finale. Nuk ka luajtur me turistë, por me skuadrat më të forta. Me Gjilanin që ka super-skuadër, Prishtinën më pas, pra kalojmë në finale me plot meritë. I kemi mposhtur skuadrat më të fuqishme. Në ndeshjen e parë nuk kemi luajtur mirë. Po të ishim më të vëmendshëm te penalltia, do të ishte në rregull. Asnjë rast nuk i kemi lejuar Prishtinës dhe kalojmë në finale me meritë. Këta tifozë e meritojnë këtë Llap, këtë stadium. Ky stadium është për ta dhe do të jetë i hapur për të gjitha skuadrat e Kosovës që marrin pjesë në garat evropiane”, ka thënë trajneri Batatina pas ndeshjes.
Llapi në finale të Kupës së Kosovës do të luajë kundër Dritës.
Llapjanët në edicionin e kaluar të Kupës triumfuan ndaj Dukagjinit, pas ekzekutimit të penalltive, 4:3.