Sport

Krasniqi asiston dhe lëndohet në fitoren e Clujit në Kupë

Ermal Krasniqi ishte titullar te Cluji, që të enjten e fitoi ndeshjen e parë të fazës grupore në Kupën e Rumanisë.

Futbollisti i Kosovës ishte i pafat pasi në minutën e dytë të kohës shtesë, pësoi lëndim në kofshën e këmbës së djathtë dhe doli nga loja. Krasniqi asistimin e regjistroi në minutën e 42-të. U shmang nga një kundërshtar dhe pasoi për kroatin Karlo Muhar, i cili shënoi me gjuajtje të fuqishme. Ishte goli për 2:1 në të mirë të Clujit. Cluji në fund mposhti Alexandrian 3:1 në udhëtim, në ndeshjen e parë të Grupit B të Kupës së Rumanisë.

Për Krasniqin 25-vjeçar ishte asistimi i dytë i këtij edicioni. Një tjetër asistim e ka në Superligën e Rumanisë.

Mbrojtësi 20-vjeçar, Rion Zejnullahu, ishte titullar te Cluji po ashtu, dhe luajti deri në minutën e 46-të.