Krahas mbrojtësit Ismajl Beka, Kosova për ndeshjen me Andorrën pritet t’i mungojnë edhe të paktën tre futbollistë tjerë.
Bëhet fjalë për sulmuesin Shkëlqim Vladi, mbrojtësin Leart Paqarada ndërsa në dyshim mbetet Edon Zhegrova.
Këtë e ka konfirmuar menaxheri i Kosovës, Bajram Shala të hënën në konferencën për shtyp të selektorit Primozh Gliha.
Beka ka pësuar lëndim të dielën me ekipin e tij, ndërsa janë lënduar edhe Vladi me Luganon e Paqarada në Koelnin. Ndërkohë, sa i përket Zhegrovës, te Kosova janë në pritje të rezultateve të kontrollimeve të tij. Megjithatë, Shala ka njoftuar se në listë ëshët rikthyer Mërgim Vojvoda, i cili nuk ishte ftuar fillimisht. Vojvoda është rikthyer te Torino në ndeshjen e fundit dhe do të bashkohet me ekipin.
“Krahas Ismajl Bekës të lënduar, janë lënduar edhe Shkëlqim Vladi e Leart Paqarada me klubet e tyre. Ndërkohë, në dyshim është edhe Zhegrova për të cilin po presim rezultatet përpara se të marrim një vendim definitiv”, tha Shala. “Ndërkohë, Mërgim Vojvoda është ftuar dhe do të bashkohet me ekipin”.