Sport

Kosova, vendi i vetëm në rajon që nuk ka lejuar kthimin e shikuesve

Rreth dhjetë mijë shikues patën mundësinë që të martën mbrëma ta shihnin nga tribunat e stadiumit të Shkupit “Todor Proeski” Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut duke luajtur. Maqedonia e Veriut, që do të paraqitet në “Euro 2020” që nis më 11 qershor, luajti ndeshje miqësore ndaj Sllovenisë që përfundoi baras - 1:1.

Ishte hera e parë që në një stadium të Maqedonisë së Veriut kishte shikues pas ndryshimit të protokollit shëndetësor dhe lejes nga Qeveria maqedonase. Ishte lejuar që vetëm 30 për qind të kapacitetit të stadiumit të ishte i mbushur me shikues.

Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk është shteti i vetëm fqinj që lejoi kthimin e shikuesve në tribuna. Ditë më parë, me praninë e shikuesve në stadium është zhvilluar edhe ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë, e po ashtu edhe ajo e Malit të Zi. Në Serbi edhe më herët janë kthyer shikuesit në stadiume. Mirëpo jo edhe në Kosovë, që mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka lejuar ende kthimin e shikuesve.

Deri më tani as që është diskutuar një gjë e tillë, ndonëse federatat e mëdha sportive të vendit, e po ashtu edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) vlerësojnë se është koha që edhe në Kosovë të kthehen shikuesit, meqë, sipas tyre, numri i vdekjeve dhe i të infektuarve me COVID-19 ka rënë dukshëm. KOHA u është drejtuar me pyetje si Ministrisë së Shëndetësisë ashtu edhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por të dy institucionet e vendit kanë zgjedhur heshtjen duke mos u përgjigjur. Federata më e madhe në vend, ajo e futbollit ka thënë se shumë shpejt do t’iu drejtohet me kërkesë zyrtare MSH-së dhe MKRS-së për lejimin e shikuesve me numër të limituar në tribuna. Madje si test e përmendin ndeshjen e Superkupës në mes të fitueses së titullit, Prishtinës, dhe fituesit të Kupës, Llapit. Kjo ndeshje parashihet të luhet pak ditë para nisjes së edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll. Edicioni i ri është paraparë të nisë më 22 gusht.

“Duke pasur parasysh se ashtu sikurse në shumicën e vendeve evropiane, edhe në vendin tonë ka rënë dukshëm numri i të infektuarve me koronavirus dhe është bërë lirimi i masave, atëherë është e natyrshme që edhe tifozëve t’u lejohet kthimi në stadiume. Normalisht, në këtë fazë duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe rikthimin në normalitet ta bëjmë në mënyrë graduale, duke filluar me numër të limituar të tifozëve në stadiume, e më pas varësisht prej situatës me pandeminë të ndërmerren edhe hapat e mëtejmë. Ne do të bëjmë kërkesë që si test të jetë ndeshja e Superkupës për kthimin e shikuesve, derisa objektivi ynë është që garat e edicionit të ri të nisin me tifozë në stadiume, sepse ata i japin spektaklin e munguar futbollit, por edhe janë motiv për ekipet në fushë”, thuhet në përgjigjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Derisa FFK-ja ende zyrtarisht nuk u është drejtuar MSH-së dhe MKRS-së për lejimin e shikuesve në tribuna, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka disa ditë që ka bërë kërkesë zyrtare te këto dy institucione, e po ashtu edhe në adresë të Qeverisë së vendit për lejimin e tifozëve në tribuna. Mirëpo ende është në pritje të përgjigjeve.

Sekretari i FHK-së, Izet Gjinovci, ka theksuar se nga institucionet e vendit kanë kërkuar të lejohen të paktën 300 shikues për ndeshjet kualifikuese për “Euro 2022” të hendbollisteve. Kosova i zhvillon tri ndeshje kualifikuese brenda kësaj jave. Ndeshjet luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Mendoj se është koha për lirimin e masave dhe të mundësohet kthimi i shikuesve së paku 30 për qind të kapacitetit për secilin klub apo përfaqësuese. Ne para turneut kualifikues për ‘Euro 2022’ për femra u jemi drejtuar institucioneve të Kosovës të na lejohet organizimi i ndeshjeve me së paku 300 shikues. Kemi nevojë për mbështetësit e Kosovës. Kemi ndeshje vendimtare dhe ndihma e tyre është e mirëseardhur”, ka thënë Gjinovci.

Shpresa se turneu final i Kupës së Kosovës në basketboll, që u zhvillua në muajin shkurt, do të luhej me praninë e shikuesve kishin edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK). Por atëkohë as që u diskutua, meqë numrat e të infektuarve ishin shumë ta lartë dhe masat ishin goxha më të ashpra. Një vlerësim i ri për situatën epidemiologjike dhe mundësisë së lehtësimit të masave parashihet të bëhet më 15 qershor. Por komuniteti sportiv insiston se mund të nisin edhe tash me disa ndeshje apo ngjarje të rëndësishme.

“Nëse vazhdon vaksinimi dhe rënia e rasteve, ne do të kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të na lejohet prania e shikuesve që nga fillimi i sezonit të ri. Të niset si test me 30 për qind të kapacitetit duke respektuar distancën dhe masat, pasi jemi të bindur se duhet gjithsesi t’i kthejmë shikuesit në palestra”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Në fakt, pa shikues në tribuna të stadiumeve dhe palestrave janë duke u zhvilluar garat në Kosovë që prej marsit të vitit të kaluar, kur edhe nisën të dalin rastet e para me të infektuar nga koronavirusi. Edhe në KOK vlerësojnë se është koha që shteti të lejojë praninë e shikuesve me numër të limituar në objekte sportive.

“Së pari, si Komitet Olimpik u gëzohemi statistikave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me rënien e numrit të të infektuarve dhe të të vdekurve nga COVID-19, si dhe lehtësimit të masave. Si KOK konsiderojmë që bashkërisht me MSH-në dhe MKRS-në, si dhe me federatat sportive mund të jemi dakord që dalëngadalë të fillohet edhe me lejimin e shikuesve nëpër stadiume dhe palestra me numër të konsiderueshëm. Personalisht mendoj se ka ardhur koha që edhe te ne, bazuar në statistikat e fundit me COVID-19, mund të lejohet një numër i limituar i tifozëve nëpër tribuna”, ka thënë presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.