Kishte dyshime nëse Adil Maliqi ishte trajner i denjë për ta udhëhequr Përfaqësuesen U19 të Kosovës në futboll. Pak prej njerëzve të futbollit në Kosovë kishin njohuri për trajnerin që në të kaluarën ka drejtuar disa skuadra të kategorive të reja në Zvicër.
Por Maliqi, i lindur dhe i rritur në Zvicër, e ka nisur mbarë punën si selektor i të rinjve të Kosovës.
Kosova U19 është e para me katër pikë në Grupin 7 të raundit kualifikues për “Euro 2024”. Pas barazimit me Sllovakinë, 1:1, Kosova U19 të shtunën ka shënuar fitore të thellë ndaj Ukrainës, me rezultatin 4:0.
Maliqi është i kënaqur me dy ndeshjet e para.
“Ka shkuar shumë mirë, jam i kënaqur me lojtarët. Në ndeshjen e parë, sidomos në pjesën e parë, lojtarët ishin pak nervoz dhe patëm vështirësi. Kurse në pjesën e dytë dominuam plotësisht dhe është dashur ta fitojmë ndeshjen. Fati na mungoi, por ishte një pikë e vlefshme pasi Sllovakia ka mposhtur Kroacinë 3:1, Suedinë 3:1, Irlandën 3:1. Për mua kjo grupmoshë e Sllovakisë është prej Kombëtareve më të forta në Evropë. Ka një gjeneratë jashtëzakonisht të fortë”, ka thënë Maliqi të dielën për KOHËN.
Ai thotë se lojtarët e përzgjedhur janë shembull.
“Loja e dytë ka qenë më e qartë. Krijuam më shumë raste dhe golat u shënuan, secili më i mirë se tjetri. Ukraina është Kombëtare shumë e mirë. Në letër është më e fortë, por Sllovakia ka qenë më e fortë. Ka pasur 5-6 lojtarë që kanë bërë dallim. Në këto dy ndeshje kam kërkuar gjashtë pikë, por më mirë katër pikë sesa asnjë. Djemtë i kam përzgjedhur me kriter duke u bazuar në karakter, mentalitet, teknikë, teknikë në presion, vizion të lojës. Të gjitha këto i kam shikuar kur i kam përzgjedhur këta lojtarë për të krijuar edhe lojë. Pasi vetëm ana fizike nuk është gjithçka. Kam ardhur këtu të arrij suksese edhe nëpërmjet lojës së mirë. Është grupmoshë e mrekullueshme. Secili e ka mirë me tjetrin. Po e përkrahin njëri-tjetrin. Në stërvitje janë shumë kërkues dhe kjo është ajo që e dua unë”, është shprehur Maliqi.
Ndeshjen e fundit, “Dardanët” e rinj e zhvillojnë të martën kundër nikoqires së
turneut kualifikues, Maltës. Dy vendet e para në grup sigurojnë kalimin në “Elite Round”.
“Matematikisht mund të mos kalojmë tutje. Vendin e dytë thuajse e kemi të sigurt, vetëm nëse ndodh një mrekulli, ku Ukraina duhet ta mposhtë bindshëm Sllovakinë e ne të pësojmë bindshëm nga Malta. Por ne do të kërkojmë fitore ndaj Maltës. Do ta kenë rastin edhe lojtarët që pak kanë luajtur dhe unë shoh se janë të etur të paraqiten. Kjo është gjë e mirë”, ka thënë Maliqi.
Raundi elit zhvillohet vitin tjetër.