Hendbollistet e Kosovës U19 e kanë humbur ndeshjen e fundit në kuadër të Evropianit të Divizionit B që u mbajt në Shkup. Të dielën në ndeshjen për vend të tetë, Kosova pësoi nga Finlanda me shifrat 39:26. Alma Nivokazi i realizoi 7 gola, ndërsa Natalija Milatoviq e Elisa Mulaj i kishin nga pesë.
Por hendbollistet e Finlandës e kanë dominuar ndeshjen dhe kanë arritur fitore të thellë.
Të shtunën Kosova pësoi 37:23 nga Islanda. Ndërkohë hendbollistet e reja kosovare kishin bilanc prej një fitore e katër humbje në fazën grupore. Fitoren e vetme e shënuan ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Kurse humbën nga Holanda, Ishujt Faroe e Maqedonia e Veriut.
Në plasmanin përfundimtar, Kosova U19 renditet e teta, përkatësisht e parafundit.