Futbollistet e përfaqësueses së Kosovës do të grumbullohen të martën (nesër) për ndeshjen kualifikuese ndaj Rusisë.
Përfaqësuesja grumbullohet në Gjermani, ku edhe luhet ndeshja. Këtë e ka bërë të ditur të hënën mbrëma për Koha.net, përzgjedhësja Afërdita Fazlija. Ndeshja Kosova – Rusia luhet të premten në Wiesbaden, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”. UEFA ka vendosur që ndeshjet e Kosovës me Rusinë të luhen në terren neutral. Pas dy ndeshjeve të këtij cikli, UEFA nuk do të lejojë përballje tjera mes dy vendeve.
Të martën nga Prishtina për në Frankfurt do të udhëtojnë nëntë lojtare të klubeve të vendit. Të tjerat grumbullohen direkt në Gjermani. Të mërkurën Kosova i zhvillon dy stërvitje, ndërsa një tjetër të enjten.
“Rusia është e fortë, por nuk e llogarisim veten indiferent për ndeshje. Kemi parë dy ndeshje të Rusisë dhe është kundërshtar që duhet respektuar. Ka përgatitje fizike dhe luan shpejtë. Po ashtu lojtaret e Rusisë luajnë kohë të gjatë së bashku, kurse ne do të kemi pak ditë në dispozicion për përgatitje. Ne e kemi fizionominë e ekipit dhe të lojës tonë. Udhëtojmë për të marrë rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Nuk do të mbyllemi, do të luajmë futboll, lojë të hapur”, ka thënë Fazlija.
Kosova ka dy fitore e një humbje në këtë cikël eliminator. Ndeshja me Rusinë është dashur të luhet në vjeshtë në Prishtinë, por ishte shtyrë nga UEFA.
“Ishte jomotivuese që nuk është luajtur ndeshja në Prishtinë. Por përballë e kemi një përfaqësuese që është lart në ranglistën e FIFA-s dhe ky është motiv shtesë. Ekipin e kemi të kompletuar, ndërsa problemi i vetëm është koha e shkurtër. Kemi të bëjmë me lojtare që nuk kanë hyrë në sistem të garave. Vetëm 2-3 lojtare i kemi që luajnë në skuadra elitare. Të tjerat startojnë më vonë edicionin. Aq sa i kemi përcjellë, lojtaret janë në gjendje të mirë. Kapitenia Valentina Limani është lënduar dy javë më herët, por shpresojmë se do të jetë gati”, ka thënë Fazlija.
Përzgjedhësja e Kosovës ka treguar se Besiana Pireci, Blerta Ismajli e Edona Kastrati janë lojtare të reja të Kosovës. Aktualisht vetëm Kastrati ka të drejtën e lojës.
Fazlija pret përkrahje të madhe të shikuesve në ndeshjen ndaj Rusisë. Në Gjermani jeton një komunitet i madh i shqiptarëve.