Sport

Dy ndeshje të vështira në mbyllje të një kampanje të suksesshme

Në terren neutral e luajnë futbollistet e Kosovës ndeshjen ndaj Rusisë. Është kjo ndeshja e parafundit e eliminatoreve për “Euro 2022”, që zhvillohet të premten nga ora 15:00 në Manavgat të Turqisë. Në terren neutral ishte luajtur edhe ndeshja në të cilën Kosova ishte vendase. Në mars, në Wiesbaden të Gjermanisë, Rusia kishte fituar 5:0.

Ruset janë favorite edhe për ndeshjen e së premtes në Turqi, por lojtaret e selektores Afërdita Fazlija shpresojnë të bëjnë befasi.

Gjasat për një gjë të tillë megjithatë nuk janë shumë të mëdha. Rusia është në vend të dytë dhe po mundohet të grumbullojë sa më shumë pikë për t’u kualifikuar në Evropianin e vitit tjetër. Kosova ndërkohë është në fund të një cikli kualifikues sfidues, por megjithatë të suksesshëm.

Kosova për herë të parë është paraqitur në kualifikimet e rregullta për Evropian. Në një grup të vështirë, ka mbledhur 10 pikë deri më tani. Deri në fund i ka edhe dy ndeshje, që megjithatë vlerësohen shumë të vështira. Pas Rusisë, lojtaret e Kosovës do të kenë përballë Holandën, aktualisht superfuqi e futbollit të femrave.

Më 27 shtator në Prishtinë, Holanda kishte fituar 6:0, në një ndeshje që e kishte dominuar plotësisht. Ndeshja Holandë – Kosovë luhet më 1 dhjetor në Breda të Holandës.

Delegacioni i Kosovës të mërkurën do të udhëtojë për në Turqi. Përfaqësuesja pritet t’i ketë dy stërvitje para ndeshjes me ruset.

“Dy ndeshje të vështira në mbyllje të këtij cikli kualifikues. Për ne është hera e parë që marrim pjesë direkt në kualifikime, në vitin 2017 ishim në parakualifikime. Normalisht që për një kombëtare të re, që edhe në ndeshjet e fundit jemi në fazën e seleksionimit, është e vështirë. Situata me pandemi na ka dëmtuar shumë, duke pasur parasysh që një pjesë të vajzave e kemi jashtë vendit. Shumica pos futbollit kanë edhe obligime të shkollimit, por edhe të punës. Kjo e ka vështirësuar punën shumë këtë vit. Kemi edhe katër lojtare të përbërjes bazë të lënduara dhe kjo na ka sjellë në situatë tepër të vështirë”, ka thënë seleksionuesja Afërdita Fazlija, që vlerësohet më meritorja për krijimin e Përfaqësueses së futbollit të femrave.

Kosova ka marrë thuajse të gjitha pikët në ndeshjet me Turqinë e Estoninë, ndërsa i kanë munguar rezultatet me Holandën, Rusinë e Slloveninë, që megjithatë janë nivel i lartë.

“Para ndeshjes me Rusinë do të kemi mundësinë maksimalisht për dy stërvitje të lehta. Ne do të japim maksimumin në këto ndeshje, me këtë grup lojtaresh me shumë mungesa. Do të mundohemi që në mënyrë dinjitoze ta mbyllim këtë cikël kualifikues”, ka shtuar Fazlija.

Besarta Hiseni, Marigona Tahiri, Leonora Ejupi, Besjana Reqica mungojnë për shkak të lëndimeve. Ish-kapitenja është larguar tashmë nga futbolli.

Fazlija vazhdon punën për të ofruar lojtare të reja dhe për të bërë hapa para.

“Sfida ka, por ecja para nuk ndalet”, thotë ajo.