Sport

Kosova premton maksimumin përballë Rusisë

Përfaqësuesja e femrave e Kosovës në futboll do të ketë shumë mungesa përballë përfaqësueses së Rusisë. Por, përzgjedhësja e “Dardaneve”, Afërdita Fazlija, ka thënë se angazhimi për të arritur rezultat pozitiv përballë ruseve, nuk do të mungojë.

Fazlija, të enjten, për KOHËN ka theksuar se Rusia do të jetë favorite, por ajo është e bindur se nuk do të përsëritet rezultati i ndeshjes së parë. Kosova në mars, në Wiesbaden të Gjermanisë, e humbi 5:0 ndeshjen nga Rusia. Ruset janë favorite edhe për ndeshjen, që Kosova e luan të premten në Turqi.

“Jemi akomoduar në hotel dhe zhvilluam dy stërvitje. Lojtaret janë në gjendje të mirë shëndetësore. Jemi kompletuar dhe rezultatet e testeve të të gjitha lojtareve, përfshirë edhe atyre që kanë mbërritur në Turqi nga shtetet e tjera të Evropës, janë negative. Rusia është favorite, por jemi përgatitur maksimalisht dhe me siguri që nuk do të lejojmë që të përsëritet rezultati i ndeshjes së parë. Në këtë ndeshje do të hyjmë me mungesa, sidomos në repartin ofensiv, megjithatë brenda grupit, aq sa na kanë lejuar mundësitë, jemi munduar të bëjmë zgjidhje. Premtojmë angazhim maksimal, pse jo të mos shpresojmë edhe në një rezultat pozitiv”, ka thënë Fazlija.

Besarta Hiseni, Marigona Tahiri, Leonora Ejupi, Besjana Reqica mungojnë për shkak të lëndimeve.

Në mungesë të sulmueseve, Fazlija për këtë ndeshje ka ftuar Argnesa Rexhepin. 20-vjeçarja, që grumbullohet për herë të parë me Kosovën, luan te skuadra e Zuerichut. Rexhepit pritet t’i jepet rasti për t’i treguar vlerat e saj.

“Për shkak të mungesave në repartin e sulmit, kemi ftuar Argnesa Rexhepin. Bëhet fjalë për një sulmuese të talentuar. Është për herë të parë me ne dhe shpresojmë t’i dëshmojë vlerat e saj”, ka theksuar Fazlija.

Edhe vetë Rexhepi shpreson ta ndihmojë Kosovën.

“Jam pritur mirë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë si për mua ashtu edhe për Kosovën. Jam e nderuar që jam pjesë e këtij grupi. Shpresoj të ftohem edhe në të ardhmen”, ka thënë Rexhepi.

Rusia është e dyta në grup dhe synon kualifikimin në Evropianin e vitit tjetër, derisa Kosova për herë të parë po paraqitet në kualifikimet e rregullta për Evropian. Në një grup të vështirë, Kosova ka mbledhur 10 pikë deri më tani. Deri në fund të këtij cikli i ka edhe dy ndeshje, që megjithatë vlerësohen shumë të vështira. Pas Rusisë, lojtaret e Kosovës do të kenë përballë Holandën, aktualisht superfuqi në futbollin e femrave. Ndeshja Holandë – Kosovë luhet më 1 dhjetor në qytetin Breda të Holandës.

“Pavarësisht rezultatit, mendoj se kemi bërë një paraqitje të mirë gjatë këtij cikli. Kemi pasur shumë sfida para vetes, por i kemi tejkaluar. Shpresojmë të mos përballemi në të ardhmen me situata siç jemi përballur gjatë muajve të fundit. Do të mundohemi që në mënyrë dinjitoze ta mbyllim këtë cikël kualifikues”, ka thënë Fazlija.