Përfaqësuesja e Kosovës në futsall (futboll të sallës) ka arritur edhe një herë ta sigurojë paraqitjen në “Main Round” të kualifikimeve për Kampionat Botëror. Por në ciklin aktual kualifikues, atë për Botërorin 2024, lojtarët e Kosovës kanë synim ta kalojnë edhe këtë fazë të garave.
Në fakt është hera e dytë që Kosova merr pjesë në kualifikimet e Botërorit. Në pjesëmarrjen e parë nuk kishte arritur të kalonte përtej “Main Round” (raundit kryesor kualifikues).
Kosova aktualisht po luan në raundin preliminar. Është në grupin C dhe tashmë e ka të sigurt kalimin në raundin tjetër, përkatësisht në “Main Round”.
Kosova të premten fitoi 2:0 ndaj Bullgarisë, ndërsa të shtunën fitoi 4:1 ndaj Skocisë. Ndeshjet i luajti në Varna të Bullgarisë, ku të hënën e luan ndeshjen e fundit në këtë fazë garash, ndaj Armenisë.
Në suksesin e fundit të Kosovës rol të madh ka pasur Drilon Maxharraj. Ai në ndeshjen ndaj Skocisë shënoi “hat-trick”. Në fitoren ndaj Bullgarisë e realizoi njërin gol.
Në “Main Round”, Kosova synon të kalojë si e para e Grupit C. Për këtë i duhet fitorja ndaj Armenisë.
“Paraqitja ime ka qenë e përkryer, po ashtu edhe e djemve të tjerë, prej lojës së parë me Bullgarinë që e fituam me rezultat 2:0. Fitorja ndaj Skocisë, ku isha realizues i tri golave, na mundësoi kualifikimin në ‘Main Round’ dhe na pret një ndeshje e tretë shumë e fortë ndaj Armenisë. Besoj se bashkë do të mundohemi ta mposhtim kundërshtarin për të dalë të parët”, ka thënë Maxharraj të dielën për KOHËN.
Maxharraj është i kënaqur me formën që është duke e kaluar.
“Është forma më e mirë që e kam pasur ndonjëherë. Është krijuar një harmoni shumë e mirë tek ekipi dhe kjo është një gjë pozitive. Në ‘Main Round’ personalisht është hera e parë që do të marr pjesë dhe jam shumë i gëzuar. Besoj që do të bëjmë gjithçka për të arritur më shumë”, është shprehur Maxharraj, që në të kaluarën ka luajtur edhe për gjeneratat e reja të Kosovës. Pjesë e Përfaqësueses A të Kosovës në futsall është qe dy vjet.
“Në synojmë ta kalojmë edhe raundin ‘Main Round’. Por fillimisht kemi edhe një ndeshje për ta përfunduar ku synimi është fitorja ndaj Armenisë për ta siguruar kalimin tutje si të parët në Grupin C”.
Maxharraj është pjesë e ekipit të Liburnit, ndërsa është nga Vrella e Istogut.
“Nëse luajmë si në dy ndeshjet e para, kam përshtypjen se mund ta mposhtim edhe Armeninë dhe ta sigurojmë vendin e parë në Grupin C. Synimi është të dalim të parët për shkak se në ‘Main Round’ do ta kishim më të lehtë grupin. Por ne do të përgatitemi maksimalisht për çdo situatë”, ka thënë Maxharraj.
Në “Main Round” 36 ekipe ndahen në 12 grupe me nga tri ekipe. 12 fituesit e grupeve, dhe katër më të mirët e vendit të dytë, shkojnë direkt në raundin elit. Tetë skuadrat e tjera të vendit të dytë luajnë në plejof, me sistem vajtje-ardhje. Katër fituesit e këtyre ndeshjeve kompletojnë skuadrat e raundit elit.
“Sigurisht se fazat tutje janë më të vështira, por ne do të mundohemi që me forcat tona të arrijmë të triumfojmë”, ka thënë Maxharraj.