Përfaqësuesja e Kosovës nuk do t’i ketë tre futbollistë në dispozicion për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, me Armeninë dhe Ishujt Faroe.
Ibrahim Desheviq, Blendi Idrizi dhe Mirlind Daku nuk do të jenë në gjendje të paraqiten për “Dardanët” në këto dy përballje, të cilat luhen në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar përzgjedhësi Alain Giresse të mërkurën, pak para duelit me Armeninë që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Giresse ka thënë se Dresheviq edhe pse ishte në listën e lojtarëve të ftuar për këtë grumbullim nuk i është bashkuar fare ekipit për shkak të një lëndimi që e kishte pësuar më vonë. Edhe Idrizi nuk do të paraqitet fare për shkak të lëndimit, ndërsa Daku ka një problem shëndetësor dhe kjo është arsyeja që Giresse nuk mund të llogarit në shërbimet e sulmuesit që po kalon një formë fantastike këtë edicion te Mura në Slloveni.
“Dresheviq ishte paraparë të ishte pjesë e këtij grumbullimi, por është lënduar dhe nuk është fare pjesë e grupit. Edhe Idrizi e ka situatën e njëjtë dhe nuk mund të luan sot, Daku ka pasur një problem shëndetësor dhe mungon, në fakt ka përfunduar pjesa e tij në këtë grumbullim”, ka thënë Giresse.
Kosova prej orës 18:00 përballet me Armeninë, ndërsa të shtunën luan kundër Ishujve Faroe.