Nuk ka pasur basketbollist amerikan në përbërjen e Kosovës në fitoren e shënuar të dielën mbrëma ndaj Luksemburgut (84:80). Shawn Jones u lëndua në ndeshjen ndaj Islandës, të enjten, ndërsa Divine Myles nuk shprehu shumë gatishmëri që të bashkohet me përfaqësuese.
Jones e Myles janë dy prej pesë lojtarëve amerikanë të natyralizuar nga Kosova. Në asnjërin prej tyre nuk llogarit shumë përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, përkatësisht FBK-ja, që tani po shikon për lojtarë tjerë amerikanë për të natyralizuar.
Burime të Koha.net bëjnë të ditur se përzgjedhësi Christos Marmarinos është autorizuar për të shikuar për të tjerë lojtarë amerikan. Bëhet e ditur se mund të natyralizohen edhe dy amerikanë, por të nivelit të lartë. Të tillë që janë të denjë për të luajtur në Euroligë.
Përfaqësueseve u lejohet një basketbollist i natyralizuar amerikan në ndeshje. Kosova prej se ka nisur me ndeshje zyrtare ndërkombëtare, ka pasur në përbërje lojtarë të natyralizuar. Por jo gjithnjë kontributi i tyre ishte ai që shpresohej, apo të paktën ai që pritej nga drejtues të FBK-së. Derisa në përfaqësuese tjera amerikanët e bëjnë dallimin, te Kosova kjo ka ndodhur në pak raste.
Më cilësori ishte ai që luajti i pari, Justin Doellman. Së bashku me të në vitin 2016 ishin natyralizuar edhe Scott Bamforth e Shawn Jones. Doellman 35-vjeçar më nuk po luan, ndërsa Bamforth e Jones vazhdimisht kanë shfaqur rezerva që të bashkohen me Kosovën, duke u arsyetuar me telashe shëndetësore. Ata kanë luajtur herë pas here, por jo në vazhdimësi.
Për shkak të mosgatishmërisë së Bamforthit dhe Jonesit, FBK-ja natyralizoi edhe Malcolm Armsteadin që doli dështim. Ai tani po luan për Pejën dhe nuk shihet i denjë për përfaqësuese. Vjet u natyralizua edhe Divine Myles. Myles nuk ishte i gatshëm të bashkohet me Kosovën pas lëndimit të Jones dhe me shumë mundësi nuk do të ftohet më.
“Plani është të natyralizohen dy lojtarë cilësorë amerikanë. Do të përzgjidhen nga trajneri Marmarinos, të tillë që i përshtaten lojës së Kosovës. Në Doellmanin më nuk mund të llogarisim, Jones është thuajse gjithnjë i lënduar, njëjtë si Bamforth. Myles nuk ishte i gatshëm të vijë dhe nuk e duam më, ndërsa Armstead nuk është opsion. Për këtë kemi folur me trajnerin dhe i kemi thënë që të hulumtoj. Synohet ndonjë top-lojtar i nivelit të Euroligës”, ka thënë burimi i Koha.net.
Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku e ka lënë të hapur mundësinë që të afrohen të tjerë amerikanë.
“Ka mundësi që të shikojmë për opsione tjera për lojtarë të natyralizuar”, ka thënë ajo.
Në FBK e vlerësojnë shumë trajnerin grek, Marmarinos. Dushku ka treguar se Marmarinos do të jetë në maj në Kosovë për ndeshjet e plejofit për të shikuar lojtarët, e po ashtu në korrik për Evropianin U-16.
“Do të përcjell nga afër gjeneratat e reja. Do të punojë edhe në projekte tjera që i kemi”, ka shtuar Dushku.
Pasaporta e Kosovës u krijon favore lojtarëve të natyralizuar amerikanë me rastin e gjetjes së ekipeve të reja. Në shumicën e ligave numri i lojtarëve amerikanë është i kufizuar.